‘Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve’ çdo vit shënohet me datën 8 qershor dhe janë Kombet e Bashkuara të cilat e kanë vendosur këtë datë, që nga viti 2009. Qëllim i shënimit të kësaj dite, thekson rëndësinë e nxitjes së ndërgjegjësimit dhe mbrojtjes së oqeaneve dhe të mjedisit detar.
Shënimi i ‘Ditës Ndërkombëtare të Oqeaneve’, ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit të njerëzve rreth rëndësisë së oqeaneve, për të mbajtur ekosistemet tokësore të qëndrueshme dhe për të mbrojtur biodiversitetin. Duke shënuar këtë ditë, përcillet mesazhi i nevojës për të mbrojtur oqeanet nga ndotja, shkatërrimi i habitatit dhe ndryshimet klimatike. Kjo ndikon në rritjen e ndërgjegjësimit të të gjithë njerëzve dhe ndryshimin e sjelljes individuale dhe kolektive, për tu kujdesur më mirë për mjedisin detar dhe për të promovuar praktika të qëndrueshme.
Dita e sotme, ofron mundësi që të kyçemi drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të ardhmes sonë, përmes iniciativave qytetare, siç janë: pastrimi i plazheve, pastrimi i ujërave të cilat rrjedhin në oqeane, programe edukuese, gara, festivale si dhe ngjarje e aktivitete të ndryshme, të cilat ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes se sa i rëndësishëm është oqeani për jetën tonë.
Tema e cila këtë vit shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Oqeaneve’, është : “Planeti Oqean: Baticat po ndryshojnë” (Planet Ocean: Tides are Changing)”, temë kjo e cila synon të zbulojë anët e fshehura të planetit Tokë dhe të krijojë një valë të re entuziazmi për ruajtjen dhe mbrojtjen e oqeanit si dhe të gjithë planetit tonë blu.