Sipas studimeve të shumta, të kryera gjithandej nëpër botë, fëmijët duhet ta shmangin përdorimin e teknologjisë, ngase përdorimi i tepruar i pajisjeve elektronike, mund të qojë në probleme serioze shëndetësore si: dëmtim të trurit, rrezikim nga pesha e tepërt, mos mbushja e normës së gjumit, rrezikimi nga çrregullimet mendore, etj.
Disa prindër u kufizojnë fëmijëve kohën e përdorimit të teknologjisë, disa nuk vendosin limite, disa të tjerë përdorin ”kontrollin prindëror”, për të kufizuar kohën e tyre para kompjuterit, televizorit, disa nuk e shohin të nevojshme, të tjerë përdorin metodën e dënimit, sidomos kur fëmijët marrin nota të këqija apo kur fëmija bën ndonjë gabim. Por, se si vepron nëna e Borës dhe Artit, znj. Rudina Heroi Puka, në edukimin e fëmijëve të saj, e kuptojmë përmes prononcimit që ajo e ndau me Radio KFOR-in: “Si nënë brengosem nëse vendimet e mia janë të duhura dhe si do të ndikojnë ato në zhvillimin e fëmijëve të mi. Megjithëse caktoj limite në përdorimin e teknologjisë, unë nuk cilësohem si nënë strikte në këtë aspekt. Limitet e caktuara dhe anashkalimi i tyre, dallon nga mosha e fëmijës, koha e mësimeve apo pushimeve, raporti lexim- përdorim teknologjie, etj. E fundit, por jo më pak shqetësuese për mua mbetet përmbajtja që ofrohet në internet dhe ekspozimi i fëmijëve ndaj tyre.”
Nuk është e paarsyeshme të kërkosh nga fëmijët, që të respektojnë oraret për të përdorur teknologjinë dhe ne prindërit të kontrollojmë atë që shikohet nga fëmijët dhe në fund të fundit zgjedhja për edukimin e fëmijëve duhet të jetë në duart e prindërve.