Përveç shkollimit bazik, fëmijëve duhet tu ofrohen edhe aktivitete të ndryshme të cilat ndihmojnë në rritjen e njohurive dhe qëllimeve të tyre. Fatmirësisht, tani ka disa organizata të cilat punojnë me fëmijë, e njëra ndër to është edhe “Innovation Academy”, në Vushtrri, e cila që nga viti 2019 po nxjerr talent të rinj.
Për të mësuar më shumë, Radio KFOR-i kontaktoi themeluesin e “Innovation Academy”, Ensar Bajrami, i cili tha: “Innovation Academy është hapur nga unë dhe gruaja ime Fatbardha, ku synimi ynë ka qenë dhe mbetet, orientimi i nxënësve në karrierë, qysh në moshë të hershme, në drejtime të cilat i kërkon tregu i punës. Pra, tek ne të gjitha mësimet janë “learning by doing”. Nxënësi fillon orën, e merr projektin, udhëzimet nga arsimtari dhe fillon punën me zgjidhjen e problemit. Kemi shumë nxënës të talentuar, që me projektet e tyre inovative, kanë marr vëmendjen e publikut dhe të mediave, siç janë: Artur Merovci, me projektin për gastronominë në Vushtrri, Amar Januzi me projektin e tij Netflix shqip, Erina Fejza dhe Daris Hasani me projektin e tyre “Don’t touch your face alarm” – projekt ky për COVID- 19 si dhe Suela Hasani me projektin e saj për mjekët në Vushtrri.”
Rinia është e ardhmja e vendit, prandaj ata duhet të edukohen, udhëzohen dhe inkurajohen në arritjen e ëndrrave dhe vizioneve të tyre.