Sot, më 20 maj, e mbarë bota kremton “Ditën Botërore të Bletës”, një datë e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e bletëve dhe insekteve të tjera të cilat ndihmojnë ekosistemin tonë.
Kjo ditë shënohet për të theksuar rolin jetik që luajnë bletët në prodhimin e ushqimit përmes procesit të pjalmimit si dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj kërcënimeve me të cilat përballen këto insekte të dobishme, siç janë: ndryshimet klimatike, ndotja, përdorimi i pesticideve dhe humbja e habitateve natyrore.
Në këtë ditë, qytetarët, institucionet dhe komunitetet ftohen të ndërmarrin hapa të vegjël, por domethënës, për të mbrojtur bletët dhe jetën në planetin tonë.







