Çdo vit, më 20 maj, bota shënon ‘Ditën Botërore të Metrologjisë’, që i dedikohet rëndësisë së matjeve të sakta dhe sistemit ndërkombëtar të njësive të matjes. Kjo datë shënon përvjetorin e nënshkrimit të Konventës së Metrit, më 20 maj, të vitit 1875, një marrëveshje ndërkombëtare që vendosi bazat për bashkëpunim global në fushën e shkencës së matjeve, e njohur ndryshe me termin – metrologji.
Metrologjia është baza e shkencës së matjeve dhe ndikon në të gjitha aspektet e jetës sonë, si:
– Në shëndetësi, për të garantuar që pajisjet diagnostikuese japin rezultate të sakta.
– Në industrinë ushqimore, për të kontrolluar përbërjen dhe cilësinë e produkteve.
– Në mjedis, për të matur ndotjen dhe kushtet klimatike me saktësi.
– Në ekonomi dhe tregti, për të siguruar drejtësi në matjet e produkteve dhe shërbimeve.
‘Dita Botërore e Metrologjisë’ nuk është thjesht një festë për shkencëtarët apo inxhinierët – është një ditë për të ndërgjegjësuar çdo qytetar për rolin që luajnë matjet, në jetën tonë të përditshme.
Përmes njohjes së kësaj dite, nderojmë punën e mijëra profesionistëve të metrologjisë në mbarë botën dhe rikonfirmojmë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për një të ardhme më të saktë dhe më të drejtë.







