Stacion Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, sot (08 gusht) me fillim nga ora 19:00, sjell tre prezantime nga Renata Salecl, Armina Pilav dhe Jelena Vesić, të cilat vijnë si pjesë e Programit Publik, “Summer School as School 2019” dhe që kanë një bagazh ndërkombëtar, në profesionet e tyre.
Përderisa, filozofja dhe sociologeja, Renata Salecl është edhe profesoreshë e psikologjisë dhe psikoanalizës së drejtësisë në “School of Law”, “Kolegji Birkbeck”, “University of London”, si dhe gjithashtu profesoreshë e ftuar në “Cardozo School of Law”, në Nju Jork.
Armina Pilav, është feministe, arkitekte, hulumtuese pedagoge në fakultetin “Architecture and Built Environment- TU Delft”.
Ndërsa, Jelena Vesić është kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese e pavarur. Ajo është aktive në fushën e publikimit, hulumtimit dhe praktikës së ekspozitës që ndërthur teorinë politike me artin bashkëkohor.
Ekspozitat e saj më të fundit janë “Story on Copy” në Akademie Schloss Solitude, Stuttgart dhe është pjesë e edicionit të “Non-Aligned Modernity” të Muzeut të Artit Bashkëkohor, Beograd.
Prezantimet e lartpërmendura do të mbahen në lokacionin ‘Klubi i Boksit’.