Turizmi në Kosovë është një përvojë e mrekullueshme për të zbuluar peizazhet natyrore, trashëgiminë kulturore dhe gjestin mikpritës të popullit kosovar. Nëse jeni në kërkim të një destinacioni të rehatshëm dhe tërheqës, Kosova sigurisht që ia vlen të vizitohet.
Përmes kampanjës #TOURISM, përgjatë gjithë muajit qershor, Radio KFOR-i do të promovoj vlerat e turizmit në vendin tonë dhe më gjerë, ku i ftuar tek moderatori Fisnik Zymi, sot (07.06.23), ishte kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, z. Ruzhdi Kurtishaj.
Në një bisedë të gjatë e të drejtpërdrejtë në studio, i ftuari z. Kurtishaj, theksoi se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm natyror për të zhvilluar turizmin, por çalohet në aspektin e infrastrukturës dhe ndër të tjera tha: “Ndonëse turizmi është një sektor shumë i ndjeshëm, është kënaqësi e madhe të punosh në turizëm. Prandaj, unë i inkurajoj të rinjtë e Kosovës, që të mos udhëtojnë drejt vendeve të treta, por të fillojnë planifikimin e tyre që nga shkolla e mesme dhe universiteti, për të kontribuar në turizëm në vendin tonë. Turizmi është një sektor që punëson me mijëra qytetarë brenda vendit dhe njëkohësisht krijon të hyra për vete dhe për buxhetin e vendit. Andaj, është një profesion jashtëzakonisht atraktiv, për një profesion që të jep mundësi të shumta të komunikimit me shumë njerëz dhe të njihesh edhe me kultura të ndryshme.”
Natyra e Kosovës është një thesar i fshehur për turistët. Ky vend i vogël i Ballkanit, ka një shumëllojshmëri të pasur të peizazheve natyrore dhe një trashëgimi kulturore të çmuar. Theksojmë se edhe New York Times, e ka përfshirë Kosovën në listën e 41 vendeve që ia vlen të vizitohen.