Nuk ka asgjë më emocionuese sesa të shihni një grup artistësh duke interpretuar live, e për performancën e tyre më pas flasin të gjithë. Mirëpo, të pakta ishin paraqitjet e artistëve live, në këto dy vitet e fundit (2020-2021), e kjo për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi CoViD-19.
Shumë të vështirë depërtimin në skenën muzikore, e cilëson edhe artisti i ri, Ideal Çoçaj, i cili pretendon që me punën e tij të pandalshme, të arrijë suksese të pafundme.
Meqë Radio KFOR-i, është gjithmonë në përkrahje të artistëve të rinj, kësaj radhe zhvilloi një bisedë edhe me artistin, Çoçaj, i cili foli për vështirësitë e depërtimit në skenën muzikore: ‘Në fillimet e mia si artist i ri, kam ekzekutuar në instrumente muzikore, duke ju bashkangjitur edhe bendeve të ndryshme, mirëpo me eksperiencën që kam fituar ndër vite jam ftuar në një bend, me emrin ‘04 band’. Nuk është e lehtë të fillosh një grup të ri muzikor, sepse duhet ti përshtatesh grupit dhe të krijojmë së bashku tinguj perfektë. Grupit i jam bashkangjitur me 13 mars, të vitit 2020 dhe sigurisht është e vështirë të depërtohet në zemrat e të gjithëve, mirëpo me përkushtimin që kemi si grup, kemi fillu që të organizojmë evente nëpër lokale të ndryshme të Kosovës. Mua më vjen mirë, që kjo që po e prezantojmë te publiku, ka fillu të pëlqehet dhe kemi pasur së fundmi edhe koncerte jashtë Kosovës, në Tiranë. Atje kemi qenë të ftuar dhe ishte për ne diçka madhështore, meqë ishin diku rreth katër mijë persona dhe kjo na ka motivuar neve si grup, që të vazhdojmë edhe me tutje me performanca të tilla.”
Duke i uruar shumë suksese artistit, Çoçaj dhe artistëve të rinj, ju tregojmë se Radio KFOR-i do të mbetet një derë e hapur për të gjithë artistët e rinj, për të promovuar talentet e tyre!