Artistët e rinj e kanë gjithmonë përkrahjen e Radio KFOR-it. Kësaj radhe do t’ju prezantojmë një artist të ri, i cili pretendon që me punën e tij të pandalshme, të arrijë suksese të pafundme.
Emri i vërtetë i këtij artisti të cilin ua prezantojmë sot, është Vendim Seferi, i njohur me emrin artistik Venom dhe për Radio KFOR-in, ai tregoi për punën e tij dhe planet në të ardhmen: “Unë krijoj muzikë në zhanre të ndryshme, si hip hop, R’n’B, dancehall dhe reggaeton dhe po ashtu në gjuhë të ndryshme si shqip, anglisht, norvegjisht dhe jam duke punuar që në të ardhmen të interpretoj edhe në gjuhen spanjolle. Jetoj në Norvegji dhe jam rritë me kultura të ndryshme përreth dhe për këtë arsye eksploroj në zhanre të ndryshme, sepse kam dëshirë të tingëllojë më ndryshe tek publiku. Qysh në moshë të vogël, kam prodhuar muzikë dhe kam publikuar edhe një këngë të titulluar ‘Pranoje’, në duet me këngëtarin Hekuran Krasniqi.”
Venom tregoi gjithashtu se inspirimin e merr nga çdo gjë që i ndodh në jetën e përditshme dhe meqë muzikën e ka pasion, çdo ide për këngë që i bie ndërmend e jep maksimumin që ta finalizojë në mënyrën më të mirë të mundshme.