Një nga temat kryesore në vend gjatë muajve të fundit ka qenë çështja e energjisë elektrike, ngritja e çmimit, ndërsa reduktimet janë vetëm disa prej temave të trajtuara pothuajse çdo ditë.
Për tu njoftuar me gjendjen momentale me furnizim me energji elektrike në Kosovë, Radio KFOR-i, kontaktoi zëdhënësin e KEDS-it, z. Viktor Buzhala, i cili tha: “Nuk ka ndonjë problem të theksuar, aktualisht furnizimi është pa ndërprerje, prodhimi është më i lartë sesa ka qenë më herët edhe pse një njësi e ‘Kosovës A’, është jashtë funksionit, por në bazë të parametrave aktual, gjendja është stabile. Ne jemi duke e plotësuar konsumin e rritur përmes importit dhe aty po krijohet bilanci energjetik pa ndonjë defekt. Nuk priten reduktime, dihet që gjendja është emergjente dhe janë shumë faktor që e determinojnë këtë çështje si konsumi, prodhimi vendor dhe importi. Për fat të keq në vendin tonë ka edhe shpenzim të panevojshëm të energjisë, prandaj mirëpresim çdo apelim për kursim të energjisë elektrike.”
Për fat të mirë, së fundmi nuk kemi pasur reduktime të energjisë elektrike dhe të tilla nuk priten as gjatë ditëve në vazhdim, njoftoi tutje z. Buzhala.