Pjesëtarët e CIMIC-ut (Ekipi Ushtarak dhe Civil) i KFOR-it, i dhuruan dje (14.04.22), pajisje të ndryshme, përfshirë laptopë, kompjuterë, printer, tabela inteligjente dhe pajisje të tjera teknologjike, Qendrës së Gjuhëve të Fakultetit Filologjik, në Universitetin e Prishtinës.
Me këtë rast, z. Jarmo Holopainen nga zyra e CIMIC-ut, foli për rëndësinë e ofrimit të ndihmave, qendrave të tilla edukuese: “Jemi shumë të lumtur që na është dhënë mundësia të ju përkrahim me këto donacione sot dhe ishte shumë interesante të kuptonim se çfarë gjuhësh u mësoni të interesuarve në këtë qendër. E nënvizoj faktin, që të mësuarit e gjuhëve të huaja, përveç gjuhës amë, është e një rëndësie të veçantë.”
Edhe Oficeri i CIMIC-ut, Myles Carlos, i entuziazmuar, pohoi se kjo ndihmë vjen pas kërkesës së Qendrës përkatëse, e cila, siç pohoi ai, meriton të ndihmohet: “Të llojllojshme janë pajisjet elektronike që i dhuruam sot dhe ndjehemi të përmbushur që përmes tyre, të rinjve dhe të tjerëve që duan të mësojnë gjuhë të huaja, të ua lehtësojmë këtë proces.”
Mirënjohëse për ofrimin e këtyre pajisjeve, që për studentët dhe profesorët janë shumë të nevojshme, u shpreh dekanja, znj. Lindita Sejdiu-Rugova, e cila po ashtu na informoi për më shumë detaje rreth Qendrës së Gjuhëve, në krye të së cilës është vet ajo, me një ekip profesionistësh: “Kjo qendër nuk do të jetë qendër e varur nga Universiteti i Prishtinës, megjithëse jemi Institut brenda UP-së, por që do të funksionojmë nga gjenerimi i mjeteve nga jashtë, prandaj edhe donacioni i sotëm që na erdhi nga KFOR-i, është pa diskutim i mirëseardhur dhe tejet i nevojshëm për ne. U jemi falënderues për këtë kontribut të çmuar dhe ajo çfarë ne mund të bëjmë në shenjë falënderimi për ta, është ofrimi i kurseve intensive të gjuhëve falas, për ushtarët e KFOR-it që dëshirojnë të mësojnë.”
Falënderuese ndaj këtij donacioni të KFOR-it, ishte edhe zëvendës dekanja, znj. Milote Sadiku, e cila ndër të tjera tha: “Ky donacion sot, është shumë i rëndësishëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë mësimdhënësit apo studentët që duan të dinë një gjuhë më shumë, prandaj e ritheksoj që kjo përkrahje e KFOR-it sot, është shtysë e fortë për të dhënë maksimumin tonë në këtë aspekt.”
Gjuhët që mësohen në Qendrën e Gjuhëve të Fakultetit Filologjik, janë të hapura për të gjithë të interesuarit, e ato janë: gjuha shqipe, serbe, turke, kroate, gjermane, angleze, italiane, etj.