Të punosh në ambient shumetnik, është një nga pasuritë më të mëdha personale por edhe profesionale. Të kesh mundësinë të mësosh për kultura të ndryshme, gjuhë të reja e të shkëmbesh ide dhe perspektiva me njëri tjetrin, pa dyshim që pasurojnë dijen dhe zgjerojnë njohuritë tona për njëri-tjetrin. Madje, në këtë aspekt ne arrijmë të njohim tjetrin më mirë, të luftojmë paragjykimet dhe të krijojmë marrëdhënie të qëndrueshme shoqërore por edhe ekipore. Rreth punës në ambient shumetnik, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me gazetaren e transmetuesit publik gjerman ‘Deutsche Welle’, znj. Vjosa Çerkini, e cila tregoi për eksperiencën e saj ekipore me gazetarë, nga komunitete të ndryshme: “Të punosh në një ambient shumetnik, më ka ndihmuar shumë që të kuptoj më mirë se të gjithë jemi të njëjtë, të barabartë dhe profesional. Nga diversiteti, mësojmë më shumë për kulturat e secilit prej nesh. Meqenëse raportoj nga vende të ndryshme, multietniciteti më lehtëson punën, sepse secili nga ne, e di një gjuhë tjetër ose di diçka që tjetri nuk di dhe kështu e bëjmë ekipin tonë të gazetarëve edhe më të fuqishëm.”
Gazetarja Znj. Çerkini, tregoi se ka punuar në shumë vende të ndryshme dhe ka takuar gazetarë nga komunitete të ndryshme, me të cilët tashmë ndan edhe shoqëri të mirë dhe nëpërmes punës së saj tashmë ka miq, jo vetëm nga komuniteti serb, boshnjak, turk, mirëpo edhe nga shumë vende të tjera të botës.