Lidhja në internet midis njerëzve, tani është pjesë e jetës tonë të përditshme, që do të thotë se shërbimet e Internetit nuk janë më vetëm për argëtim, mirëpo janë pjesë themelore e shoqërisë. Së fundmi Organizata Jo-Qeveritare ‘Open Data Kosovo’, ka publikuar Observatorin e Agjendës Digjitale për Kosovë, në kuadër të projektit Rritja e Iniciativës Qytetare Në Agjendën Digjitale (ICEDA).
Agjenda Digjitale për Ballkanin Perëndimorë është njëra nga shtyllat kryesore të strategjisë së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Agjenda Digjitale mbulon fusha të ndryshme siç janë: infrastruktura digjitale dhe qasjes në internet, modernizimi i administratës publike, digjitalizimi i industrive të ndryshme, siguria kibernetike dhe fusha të tjera të cilat lidhen me transformimin digjital dhe agjendën digjitale. Qëllimi i kësaj agjende është që qytetarët e rajonit të përfitojnë sa më shumë nga transformimi digjital përmes informimit, shkathtësimit dhe përfitimit të njohurive mbi digjitalizimin.
Në një komunikatë për media, Menaxherja e Programit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Daniela Hoffman, shprehu rëndësinë të cilën e ka transformimi digjital dhe jo vetëm në rritjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik, por edhe për institucione më efikase dhe përmirësimin e mënyrës së dhënies së shërbimeve për qytetarët.
Raportin e plotë të Observatorit të Agjendës Digjitale për Kosovë, mund ta gjeni në këtë vegzë:https://opendatakosovo.org/portfolio/digital-agenda-observatory-2020/