Në kuadër të emisionit të mëngjesit në Radio KFOR “Mëngjesi me ty”, e ftuara e moderatores/gazetares, Trëndelina Duli, ishte njëra nga liderët e programit “Up to Youth’’, zjn. Azize Curri Grabanica, e cila shpalosi në hollësi idenë e nismës së projektit shumetnik “Për një të ardhme më të mirë, duke bashkëpunuar”.
Mes tjerash zjn. Grabanica, tregoi se ky projekt ka rrjedhur nga aktiviteti “Hartimi i Burimeve në Komunitet’’, realizuar nga të rinjtë e qytetit të Vushtrrisë, të cilët tregojnë se 74% e respondentëve thonë se në komunën e Vushtrrisë nuk ekzistojnë organizata, shoqata apo klube rinore, derisa 47% e tyre thonë se ka mungesë të aktiviteteve jashtëshkollore për të rinjtë e komunës së Vushtrrisë.
“Puna vullnetare dhe angazhimi në komunitet na kanë mësuar se ne jemi ata të cilët mund të sjellim ndryshimin në vendin tonë. Ju bëjmë thirrje institucioneve përkatëse, që të na mundësojnë hapësirat dhe programet e nevojshme për zhvillimin tonë profesional dhe i ftojmë të gjithë të rinjtë që t’i ndajnë me ne përvojat e tyre në punën vullnetare”, tha mes tjerash zjn. Grabanica.
Ajo po ashtu tregoi se ky projekt po përkrahet edhe nga Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe i bëri thirrje të gjithë të rinjve që kur kanë ndonjë kërkesë për punë vullnetare e që ajo ndikon në përmirësimin e jetës së të gjithëve, në postimet e tyre në rrjetet sociale të përdorin thurjen (hashtag) #PunaVullnetareKaRendesi. ‘’Up to Youth’’ është aktivitetet pesë vjeçar, i përkushtuar që të përmirësojë kapacitetet e rinisë dhe të krijojë mundësi për aspiratat e rinisë, në mënyrë që ata të kontribuojnë dhe të përfitojnë nga komunitete më të qëndrueshme, më demokratike dhe më prosperuake.