Pandemia globale, solli vështirësi të shumta në shumë sfera të jetës, duke prekur arsimin dhe duke ndryshuar mënyrën e mësimit dhe kalimin nga mësimi në objekte shkollore, në atë në distancë apo online. Ky lloj mësimi, erdhi mes nesh, në një kohë kur pandemia mbylli gjithë botën. Mësimdhënësit dhe nxënësit, ishin të detyruar të gjejnë mënyra të tjera të mësimit për të vazhduar me procesin mësimor. Në këtë proces sfidues, ndodhej edhe mësuesja e klasës së tretë, në shkollën fillore ‘Hasan Prishtina’, në Prishtinë, Egzontina Meqa, e cila për Radio KFOR-in tregoi për sfidat e saj, në kohë pandemie: “Pandemia si për të gjithë ashtu edhe tek ne, ka ndikuar shumë. Ka qenë vit i sfidës, pasi që u izoluam dhe nuk kishim mundësi t’i vijonim mësimet në shkollë, ne prapë nuk u ndalëm me sfidat e radhës. Si fillim, nuk kishim njohuri për platformën Zoom, Google class, etj., mirëpo por u desh të mësojmë dhe të mos i braktisim nxënësit tonë të dashur. Punuam online, ku gjatë tërë kohës jemi munduar të japim maksimumin dhe t’i motivojmë nxënësit me lëvdata, yje, mirënjohje, fjalë të bukura, që ata mos të ndalen dhe mos ta braktisin mësimin. Edhe pse në distancë, si unë ashtu edhe nxënësit, prisnim me padurim mbajtjen e orëve mësimore. Një gjë që ishte aspak e lehtë, për mua si mësimdhënëse dhe për nxënësit, ishte mos prania jonë në bankat shkollore, në klasë. Ne ishim në shtëpi dhe në shtëpitë tona, ne nuk ishim vetëm. Kishim edhe anëtarë të tjerë të familjes, ku ndoshta edhe ata në atë kohë kishin mësim, apo punë të tjera online dhe nuk ishte aspak e lehtë. U gëzuam shumë kur ju kthyem shkollës, por prapë ishim në njëfarë mënyre të ndarë, sepse nxënësit u ndanë në grupe. Por, falë dashurisë së madhe për nxënësit dhe punën që e dua shumë, nuk jam lodhur asnjëherë dhe kam bërë punën time me shumë dashuri. Nuk isha e lumtur që nxënësit janë të ndarë, sepse ju mungonte shumë njëri-tjetri. Në klasë bëra një aktivitet dhe pyetja ishte: Shpreh tre dëshira? E kuptova se cilat ishin dëshirat e tyre, meqë të gjithë kishin shprehur të njëjtën dëshirë. Të largohet pandemia dhe të bashkohemi me pjesën tjetër të klasës dhe të bëhen bashkë të dy grupet, si më parë. E unë, e emocionuar ju thashë, pasi që të gjithë keni shprehur dëshirat e njëjta, unë mendoj që këto dëshira do të na plotësohen shumë shpejtë dhe uroj të jetë ashtu. Të përfundojmë një vit të mundimshëm, por të suksesshëm”, u shpreh kështu mësuesja, Egzontina Meqa.
Radio KFOR-i, në vazhdimësi ka përkrahur të gjithë sektorët të cilët nuk e ndalën punën e tyre, përkundër rreziqeve që na solli pandemia CoViD-19, duke përkrahur personelin mjekësorë, gazetarët, mësimdhënësit dhe gjithë sektorët tjerë që punuan, pa e kursyer veten.