Muaji qershor, do të sjellë në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit shfaqjen “Bright Ideas”, nga Eric Coble, me regji nga Shkelzen Berisha. Aktualisht në teatër po mbahen provat për shfaqjen e cila përmes komedisë së zezë, rrugëton nëpër çështje e tema aktuale, origjinale dhe me shumë rëndësi sociale.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, regjisori i shfaqjes në fjalë, Shkelzen Berisha, ka treguar detaje nga përmbajtja e saj: “Shfaqja ‘Bright Ideas’, përmes një zhanri të përkushtuar të komedisë së zezë, synon të prekë prindërit urban e modern, të cilët bëjnë gjithçka, përpiqen, konkurrojnë mes vete dhe nuk ndalen në asnjë moment, derisa fëmijëve të tyre t’u japin përparësi e status të lartë formimi intelektual. Shfaqja sjellë personazhet, Gëzim dhe Xhensila Gashin, të cilët janë një çift i klasës së mesme dhe jo aq të pasur, të cilët me çdo kusht duan të mbajnë hapin me prindërit e tjerë modern e të pasur, disa nga të cilët i takojnë në park. Se çfarë do të bëjë më tej çifti për të mbajtur statusin e më të mirit?!, – mbetet të kuptohet në fund të qershorit, atëherë kur shfaqja do të ngjitet në skenë.”
“Bright Ideas” vjen nën interpretimin e Aurita Agushit, Avni Shkodrës, Safete Mustafës, Kaltrina Zenelit, Gani Rrahmanit dhe Emine Toskës, asistent regjie është Artan Selimi, ndërsa për pjesën vizuelo-zanore do të përkujdesen Bekim Korça (skenograf), Trimor Dhomi (kompozitor) dhe Alma Krasniqi (kostumografe).