Për të kontribuar në pakësimin e konsumit të energjisë dhe rrjedhimisht në ngadalësimin e faktorëve që sjellin ngrohjen globale, gjithsecili prej nesh mund të fillojë ta bëjë një gjë të tillë nga shtëpia e vet.
Profesoresha e lëndës së fizikës, znj. Vahide Hoxha, për Radio KFOR-in tregoi se si kontribuon ajo në kursimin e energjisë elektrike duke i këshilluar edhe nxënësit e saj: “Rëndësia e kursimit të rrymës, qëndron te kursimi i buxhetit familjar si dhe kontributi në zvogëlimin e shpenzimit të panevojshëm në nivel vendi e që lidhet me kostot e prodhimit të rrymës në centrale dhe me zvogëlimin e resurseve natyrore në nivel global, qoftë të thëngjillit apo ujit. Unë shpesh ju kujtoj nxënësve të mi, që të kursejnë sa më shumë energjinë elektrike, që të fikin poçet elektrik kur nuk është e nevoja të mbahen ndezur si dhe të fikin pajisjet tjera elektronike në shtëpi që nuk janë në përdorim.”
Në mënyrë që të zgjasim rezervat tona të energjisë për aq kohë sa të jetë e mundur dhe të mbrojmë shëndetin e planetit tonë, është thelbësore që të kursejmë energji dhe të zbatojmë një reduktim të vetëdijshëm të konsumit.