‘#UnëMundem #NeMundemi’, kjo është kampanja e cila ka për qëllim vetëdijesimin gjithë shoqëror për sëmundjen e kancerit dhe empatinë me të prekurit nga kjo sëmundje. Është komuniteti i madh i çiklistëve ‘Marakli t`Biciklave’ që në “Ditën Botërore kundër Kancerit” do të pedalojnë rreth 15 kilometra në Prizren. Për të kuptuar më shumë rreth këtij aktiviteti, Radio KFOR-i ka zhvilluar intervistë me Drejtorin Ekzekutiv të ‘Marakli t`Biciklave’, Berat Rakovica: “Sot, më 4 shkurt, në ‘Ditën Botërore kundër Kancerit’, do t’i bashkohemi ‘Union for International Cancer Control’ (Bashkimi për Kontrollin Ndërkombëtar të Kancerit), të cilët çdo vit në këtë datë, organizojnë aktivitete të ndryshme. Kësaj radhe, pjesë e këtij organizimi është edhe Kosova, në mesin e 221 vendeve. Aktiviteti ka për qëllim të parandalojë miliona vdekje që ndodhin në vit, duke e rritur vetëdijesimin dhe duke edukuar gjithë shoqërinë për të ndërmarrë veprime kundër kësaj sëmundjeje. Ne, si grupi më i madh i çiklistëve në Kosovë, do të pedalojmë rreth 15 kilometra në qytetin e Prizrenit, ndërsa ky aktivitet vjen nga kampanja ‘#UnëMundem #NeMundemi’, përmes së cilës anëtarë të grupit por edhe qytetarë të shumtë, na kanë dërguar fotografi të cilat simbolizojnë luftën kundër kancerit. Me këtë aktivitet kërkojmë nga institucionet dhe shoqëria që të avokojnë më shumë rreth kujdesit të personave të prekur nga kanceri.”
Aktiviteti i çiklizmit do të fillojë sot (04.02.22), rreth orës 13:00 dhe nisja do të bëhet nga “Sheshi i Lidhjes” në Prizren.