Duke ditur se numri i të infektuarve me virusin COVID-19, nuk është duke u reduktuar dhe nga infektimi nuk po kursehen as fëmijët e moshave të ndryshme, në anën tjetër procesi mësimor po vazhdon me përkushtimin më të madh si nga mësimdhënësit ashtu edhe nga nxënësit. Për të parë nga afër sfidat dhe problemet në organizimin e procesit mësimor në kushte pandemi, njoftohet se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po i vazhdon vizitat në shkolla. Gjatë këtyre vizitave ajo po u bën thirrje mësimdhënësve që të kenë kujdes në respektimin e masave dhe në ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të nxënësve, pasi kjo është mënyra e duhur për mbajtjen e shkollave të hapura si dhe fton mësimdhënësit që të punojnë për përmirësimin e rezultateve në arsim dhe të minimizohen humbjet e orëve të mësimit, që janë shkaktuar si pasojë e pandemisë.
Nga informatat e fundit të Inspektoratit të Arsimit, aktualisht procesi mësimor është duke u zhvilluar në 81 shkolla me skenarin C (mësim nga distanca- online), ndërsa shkollat tjera janë duke punuar sipas skenarëve tjerë, me prani fizike në objekte shkollore.