Në kuadër të festivalit “Prishtina Lexon”, që synon nxitjen e kulturës së leximit, sot në kryeqyetet do të shpallet ‘Lexuesja e vitit 2019’ apo ‘Lexuesi i vitit 2019’. Festivali “Prishtina Lexon” po organizohet për të pestën herë me radhë, me fokus në ndërgjegjësimin social rreth rëndësisë së librit dhe ngritjen intelektuale të individit. Përveç leximit, do të spikaten edhe teatri, filmi dhe performance tjera artistike që kanë për synim edhe shoqërimin dhe argëtimin e fëmijëve dhe grupmoshave tjera. Aktivitetet e sotme (3 qershor), kanë filluar që nga ora 08:00 në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” me regjistrime falas në këtë bibliotekë, janë vënë kënde të leximit në Sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdohet me aktivitete tjera, deri në orën 16:00.
Aktivitetet për të rritur janë paraparë të mbahen nga ora 16:00, me filma në Kino Armata dhe slam poetry, ndërsa në fund, duke filluar nga ora 21:00, sonte në amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”, gjithçka përmbyllet me një festë ‘Book Character Party’.