Në kuadër të Panairit të 21-të të librit në Prishtinë, që fillon më 5 qershor deri më 9 qershor, do të bëhet edhe promovimi i librave që fëmijët mund ti lexojnë gjatë pushimeve, duke filluar nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Me këtë rast, Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtoreshën e Shtëpisë Botuese “Magjia e Librit”, znj. Teuta Sinanaj, e cila na ofroi më shumë hollësi rreth promovimit të këtyre librave:
“Shtëpia botuese ‘Magjia e librit’, sapo ka nxjerr 5 libra të pushimeve nga klasa e parë deri në të pestën, në mënyrë që nxënësit t’i kenë afër vetes librat e pushimeve, të cilët do t’i lexojnë. Por, jo vetëm që do t’i lexojnë, ata gjithashtu do të mësojnë dhe do të përforcojnë njohuritë bazike në lëndën e gjuhës shqipe, angleze, të matematikës dhe shkencave në përgjithësi”, tha mes tjerash, znj. Sinanaj.
Librat respektiv janë përpiluar me shumë kujdes, dashuri e përvojë nga autorët, të cilët kanë menduar detajisht për përmbajten e tyre, të hartuar sipas kërkesave të kurrikulës së re. Promovimi i librave të lartë cekur do të bëhet me 7 qershor, duke filluar nga ora 17:00 deri në ora 17:50.