Me moton ‘Krejt bashkë n’shesh’, Prishtina fton të gjithë që të jenë pjesë e një feste të madhe në fund të vitit në shesh, në qendër të qytetit me shumë aktivitete, muzikë, drita dhe atmosferë festive. Rreth aktiviteteve dhe programit të këtij viti, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë më kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, z. Bardh Krasniqi, ndërmarrje kjo përgjegjëse për organizimin e aktiviteteve të shumta kulturore në kryeqytet. Siç tregoi z. Krasniqi, edhe këtë vit qytetarët do të kenë mundësi të festojnë fundin e vitit me aktivitete të shumta:
“Këtë vit kemi sërish tregun dimëror “Verë N’Dimën”, që këtë vit është zhvilluar në një format tjetër. Kemi kategorizuar sheshet, ku zona e rinisë është tek sheshi Xhorxh Bush, pastaj zona e familjes tek sheshi Zahir Pajaziti dhe zona Alternative tek sheshi Skënderbeu. Kategorizimi ka ofruar që secili qytetar të ketë hapësirën vet. Këtë vit për dallim nga vitet e kaluara, kemi dy skena, ku janë të kategorizuar edhe performuesit dhe po ashtu kemi rreth 80 artistë, që do të performojnë në këto dy skena.”
Ndër të tjera z. Krasniqi, tregoi se për fëmijët është hapur edhe pista e patinazhit dhe do të ketë edhe aktivitete zbavitëse siç janë: maskotat, orët e leximit, vallëzim dhe muzikë.
Këtë vit janë të përfshira edhe gratë ndërmarrëse, të cilat me punën e tyre artizanale janë pjesë e tregut dimëror.
Artistë të shumtë dhe DJ të njohur vendor, do të performojnë gjatë këtyre ditëve për qytetarët për ti bërë edhe më të bukura festat. Festa me shumë aktivitete do të vazhdoj deri me 15 janar.







