Tashmë viti i ri shkollor ka nisur dhe shumë nxënës dhe fëmijë janë bërë sërish pjesëmarrës në trafik, prandaj Policia e Kosovës bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në trafik apo që kujdesi të jetë i pranishëm gjithmonë.
“Ne e dimë që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet e mundshme në rrugë, prandaj siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët. Në vitin 2022 në trafik jetën e kanë humbur 106 persona, prej tyre 5 kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare, 7 kanë qenë nga mosha 13 deri 18 vjeçare dhe 94 kanë qenë mbi moshën 19 vjeçare. Në vitin e kaluar, në trafik janë lënduar 14.714 persona, prej tyre 787 kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare, 962 kanë qenë nga mosha 13 deri 18 vjeç dhe 12.965 kanë qenë mbi moshën 19 vjeç”, nënvizon mes tjerash Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës po vazhdon me fushata të ndryshme, në mënyrë që të gjithë ne, të jemi më të sigurt në trafik. Andaj, vozitni me kujdes! Respektoni shenjat dhe rregullat e trafikut, në çdo kohë.