Nesër, më 12 shtator, në orën 20:45, do të zhvillohet ndeshja e gjashtë e grupit të parë, në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë. Ky takim është shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat, për të vijuar rrugën e tyre të ëndrrës, për t’u kualifikuar në turneun prestigjioz evropian.
Kosova, në këtë ndeshje vjen me një motivim të veçantë pas paraqitjes së shkëlqyer të së shtunës ndaj Zvicrës, ku arritën një barazim 2-2 vetëm në sekondat e fundit, me golin e Vedat Muriqit. Ky rezultat i jep Kosovës shpresë, se ata ende kanë mundësi të kualifikohen në “Euro 2024”. Për momentin, ata ndodhen në vendin e pestë të grupit të parë, me katër pikë në pesë ndeshje.
Në anën tjetër, Rumania kanë treguar se janë një ekip i kujdesshëm dhe solid në këto kualifikime dhe momentalisht ndodhen në vendin e dytë të grupit me nëntë pikë.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, që u mbajt më 16 qershor të këtij viti, Kosova dhe Rumania u ndalën në barazim pa gola, me rezultat 0-0. Ky fakt bën që ndeshja e së martës të jetë akoma më intriguese, pasi të dyja skuadrat do të kërkojnë të marrin një avantazh të rëndësishëm në këtë rrugëtim drejt “Euro 2024”.
Fansat presin një spektakël futbolli dhe një lojë të bukur në “Arena Nationala” të Bukureshtit dhe shpresojmë që “Dardanët” të kthehen në shtëpi me më shumë pikë.