Policia e Kosovës me shfaqjen e rasteve të para të infektimeve me virusin Covid-19 në vendin tonë, ka vazhduar të jetë e përkushtuar në mbajtjen e rendit dhe ligjit, duke respektuar ligjet në fuqi për përhapje të virusit. Lidhur me këtë aspekt dhe respektimin e masave anti-covid, Radio KFOR-i ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tregoi që gjatë kësaj kohe kanë shqiptuar mbi 160 mijë gjoba, deri në javën e parë të muajit prill të këtij viti:
“Masat dhe kufizimet që janë vendosur nga autoritetet, kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik, megjithëse shpesh herë ato kufizime kanë një ndikim në zhvillimin normal të aktiviteteve dhe veprimtarisë shoqërore, ekonomike dhe sociale si dhe shpesh ka pasur rezistencë në implementimin e tyre në teren. Policia ka qenë e vetëdijshme lidhur me sfidat, por në bashkëpunim me qytetarët, përmes fushatave dhe komunikimit reciprok, ka arritur që të sqaroj qëllimin dhe objektivat tona, për të ia dalur mbanë kësaj situate. Bazuar në angazhimet e Policisë se Kosovës në zbatimin e ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid 19, nga muaji gusht 2020 e deri më 5 prill të vitit 2021, janë shqiptuar gjithsej 162 mijë e 908 fletëparaqitje-tiketa, në bazë të ligjit anti-Covid19”
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj, si në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, po ashtu edhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve si prioritet nëpër periudhën të cilën po kalojmë.