Në kuadër të aktiviteteve të ndryshme që po i organizon Policia e Kosovës, tani, në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ata po u mbajnë ligjërata nxënësve, rreth “Menaxhimit të Sigurisë në Shkolla”.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, për Radio KFOR-in tha: “Në kuadër të aktiviteteve të tilla që kanë për qëllim parandalimin e dukurive negative në shkolla, në rajonet policore organizohen takime me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me Menaxhmentin e Shkollave, për mbajtjen e ligjëratave lidhur me vetëdijesimin (sensibilizimin) për rrezikun që mund të vijë si pasojë e veprimeve të kundërligjshme, sulmeve, ngacmimeve seksuale, përdorimit të substancave narkotike, dhunës në familje etj.”
Përmes kësaj qasje strategjike, Policia e Kosovës, synon që punën policore ta shndërrojë nga qasja reaguese, në qasje parandaluese dhe të reduktojë dhe menaxhojë situatat që mund të jenë kërcënuese për ambientin dhe bashkësinë në përgjithësi.