Sot (17.06.21), shënohet ‘Dita Botërore për të Luftuar Shkretëtirëzimin dhe Thatësirën’. Fokusi i shënimit të kësaj dite, është kthimi i tokës së degraduar që ka humbur produktivitetin e saj natyror për shkak të aktivitetit njerëzor, në tokë të shëndetshme. Për të luftuar këtë kërcënim, do të bëhen përpjekje që tokat e degraduara, të shndërrohen në toka pjellore, në vitet e ardhshme.
Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Luftuar Shkretëtirëzimin (UNCCD) në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit (MINAE) të Kosta Rikës, po organizojnë aktivitete të ndryshme online, për të inkurajuar familjet, komunitetet, sektorin privat dhe vendet e ndryshme në gjithë botën, që të kenë një marrëdhënie më të mirë me natyrën.
Tema e sivjetme me të cilën shënohet kjo ditë, është “Restaurimi. Toka. Rimëkëmbja. Ne ndërtojmë më mirë, në tokë të shëndetshme (Restoration. Land. Recovery. We build back better with healthy land)”. Humbja e biodiversitetit nuk është vetëm një çështje mjedisore, është një çështje zhvillimore, ekonomike, sigurie, shoqërore dhe morale e të gjitha vendeve të botës.