Në vijim mund të ndiqni intervistën e plotë, të realizuar nga Radio KFOR-i me Zëvendës Ministren në Ministrisë e Drejtësisë, znj. Nita Shala, e cila ka të bëjë me dhunën në familje:
Radio KFOR-i: Sa serioze është situata aktuale në lidhje me dhunën në familje?
Zv. Ministrja, Shala: Për fat të keq, dhuna në familje vazhdon të jetë shqetësim serioz në Kosovë. Statistikat tregojnë që situata e izolimit për shkak të pandemisë së corona-virusit, ka ndikuar që rastet e dhunës në familje, të rriten. Në vendin tonë vitin e kaluar, është shënuar një rritje prej 8 % e dhunës në familje dhe një rritje prej 6% e viktimave të dhunës në familje. Ndërkohë, rezulton që femrat janë të prekura në mënyrë jo proporcionale krahasuar me meshkujt, duke rezultuar në 78% të viktimave të dhunës në familje. Në 4 nga 5 raste të dhunës në familje, viktima rezulton të jetë grua. Si rrjedhojë, për gratë e panumërta që kanë përjetuar dhunë në familje, shtëpia nuk ka qenë një vend i sigurt gjatë periudhës së izolimit. Bashkëjetesa e detyruar, humbja apo rrezikimi i humbjes së vendit të punës, stresi i shkallëzuar dhe ankthi për të ardhmen, kanë quar në rritjen e tensionit shtëpiak dhe kanë shndërruar shumë partnerë në abuzues dhe ka përkeqësuar abuzimin ekzistues. Është shumë shqetësues edhe fakti që shumica dërmuese e rasteve të dhunës në familje, mbetet në kuadër të asaj që kriminologët i referohen si numër i errët i kriminalitetit. Studimet tregojnë se në shoqërinë tonë informacioni institucional mbi dhunën në familje bazohet në vetëm 2 % të rasteve të raportuara. Ndërkohë, 98% e rasteve të dhunës në familje, mbeten në pjesën e fundosur të ‘icebergut’ dhe nuk denoncohen, nuk regjistrohen dhe për to nuk mbahen evidenca.
Radio KFOR-i: Sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, Koordinatori Kombëtar kundër Dhunës në Familje (KKKDhF) është i ngarkuar edhe me koordinimin, monitorimin dhe raportimin mbi zbatimin e politikave, aktiviteteve dhe veprimeve të parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2016-2020 (NSPDVAP). A mund të përshkruani shkurtimisht në çfarë mase apo përqindje po implementohet ky legjislacion (KKKDhF)?
Zv. Ministrja, Shala: Qeveria jonë, ka pranuar seriozitetin e dhunës në familje, duke e ngritur çështjen e adresimit dhe parandalimit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore, në prioritet qeveritar. Në cilësinë e zv. Ministres së Drejtësisë, jam emëruar edhe si Koordinatore Kombëtare kundër Dhunës në Familje dhe në Cilësinë e Koordinatorit Nacional, kam mbledhur Grupin Ndër Ministror kundër dhunës në familje dhe me ta, kemi rënë dakord për takimet tona, për çka edhe vendimi i themelimit të zyrës së koordinatorit nacional, parasheh takime minimum dy herë në vit për grupin ndërministror, që këto takime ti mbajmë në baza mujore. Tashmë, u bë takimi i katërt, që unë kam mbledhur të gjithë përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për tu përgjigjur ndaj dhunës në familje, ku diskutojmë, koordinojmë, bashkërendojmë aktivitetet me synim parandalimin por edhe adresimin e përgjegjshëm të rasteve të dhunës në familje.
Radio KFOR-i: Shumica e ekspertëve pajtohen se duhet të bëjmë më shumë në parandalimin e dhunës në familje. Ju si Koordinatore Kombëtare për Dhunën në Familje, a mund të na tregoni se çfarë është bërë në lidhje me këtë çështje?
Zv. Ministrja, Shala: Janë ndërmarrë disa veprime. Vetë riaktivizimi i grupit ndërministror i dhunës në familje nga ana ime, si Koordinator Nacional, është një hap më tutje drejt parandalimit dhe adresimit të saktë e të drejtë, të rasteve të dhunës në familje. Në takimet e grupit ndërministror kundër dhunës në familje, kemi identifikuar sfida konkrete me të cilat përballen institucione të posaçme dhe jemi munduar që t’i japim zgjidhje problematikave të tilla duke i diskutuar dhe duke rënë dakord në zgjidhje më të përshtatshme. Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, kemi një data bazë e cila është funksionale që nga viti 2019 dhe në të cilën raportohen nga gjashtë institucione, të cilat kanë direkt kontakt me viktimën e dhunës në familje dhe të dhëna mbi rastet e tilla. Falë kësaj data baze, ne marrim informacion mbi trendin e dhunës në familje dhe bazuar në këtë informacion, unë isha në gjendje të paraqesë edhe statistika mbi trendin, sa i takon dhunës në familje. Për disa muaj, institucione të ndryshme nuk kanë futur të dhëna në data bazën në fjalë. Nga takimet e grupit ndërministror e kam evidentuar si problematikë dhe përfaqësuesit e institucioneve të tilla, kanë marrë përsipër që të nxisin stafin e tyre, që të raportojnë statistikat të cilat janë të obliguar ti raportojnë në këtë data bazë. Si rrjedhojë, në këtë moment që po flasim, të gjithë këta akterë institucional, i raportojnë sipas marrëveshjes që kanë me Ministrinë e Drejtësisë, rastet e dhunës në familje e që na ndihmojnë të kuptojmë sa më saktë, thellësinë e problemit dhe të planifikojmë dhe të ndërmarrim më tutje politikat në përgjigje të fenomenit të tillë.
Radio KFOR-i: Sa jeni të kënaqur me legjislacionin primar dhe sekondar, strategjitë, programet dhe aktivitetet tjera për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje?
Zv. Ministrja, Shala: Praktikisht në programin legjislativ të këtij viti kemi parashikuar amendamentimin e ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje. Për më shumë, kemi planifikuar edhe plotësim-ndryshimin e ligjit për ndihmë juridike, falas, me synim identifikimi si kategori të veçanta, viktimat e dhunës në familje dhe njohje të mundësisë së përfitimit të ndihmës juridike – falas, pavarësisht plotësimit apo jo të kriterit financiar që e kërkon ligji aktual. Për sa i takon ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, ka lindur edhe një iniciativë nga ana e komisionit për të drejtat e njeriut (Komision Parlamentar) dhe si të tillë kemi rënë dakord me Kryesuesen e Komisionit Parlamentar në fjalë, që si Ministri e Drejtësisë, do të angazhohemi maksimalisht dhe do të ndihmojmë më për së afërmi, procesin e amendamentimit të këtij ligji, por do ta kenë ata në dorë lidershipin të shtyrjes përpara të ndryshimeve në fjalë. Në aspektin e legjislacionit, një bazë ligjore e rëndësishme e konsiderueshme, është konventa e Stambollit, që është konventë e këshillit të Evropës që ka për synim parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje dhe të cilën deputetët e kuvendit tonë në shtator të vitit të kaluar e kanë votuar dhe e cila në këtë moment që flasim, konsiderohet si ligj i aplikueshëm në vendin tonë. Në anën tjetër, strategjia për luftimin e dhunës në familje si dhe plani i veprimit kanë skaduar në një far forme, nuk janë më efektiv, sepse kanë qenë efektiv deri në vitin 2020. Ministrja e drejtësisë ka themeluar grupin punues për draftin e strategjisë së re 2021/2026, grup të cilin e kryesoj unë si Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje dhe në të njëjtën kohë edhe si zv. Ministre e Drejtësisë dhe planifikojmë që menjëherë të fillojmë nga puna për të draftuar pikat e kësaj strategjie dhe më pas edhe planin e veprimit lidhur me këtë strategji.
Radio KFOR-i: A mendoni se legjislacioni i Kosovës është i rreptë mjaftueshëm në qasje kundër dhunës në familje, posaçërisht në dënimin e autorëve të tij dhe mbrojtjes së viktimave?
Zv. Ministrja, Shala: Kodi jonë penal, përmban dy kapituj në të cilët i liston si vepra penale të posaçme, si krimet seksuale ashtu edhe veprat penale në familje. A ka mangësi? Sigurisht që ka mangësi. Vetë fakti që dhuna në familje ekziston si dispozitë e posaçme në kodin tonë penal, është një arritje e madhe, mirëpo duhet ta kemi parasysh që është një ndryshim që ka hyrë në fuqi, faktikisht një ndryshim që është përfshirë në kodin penal vetëm në qershor të vitit 2019. Për më shumë, ka mungesa në aspektin e përcaktimit, definimit të dhunës emocionale, dhunës financiare dhe të tjera. Në anën tjetër, ka të bëjë edhe me implementimin edhe nga ana e institucioneve përgjegjëse dhe praktikisht ka të bëjë fakti se çfarë kërkese bën prokurori, i cili e ka një rast të dhunës në familje për ndëshkim nga ana e gjykatës dhe se si shprehet gjykata, lidhur me ndëshkimin në rastin e një dhunuesi. Meqë kemi parë, ka pasur raste kur edhe pse kanë qenë dhunues të konfirmuar, gjykata i ka ndëshkuar shumë lehtë persona të tillë. Një gjë e tillë është diskutuar edhe në grupin ndërministror, të cilin e koordinoj unë. Synimi ka qenë që ti rikujtojmë prokurorët dhe gjyqtarët tonë, për nivelin e problematikës realisht, thellësinë e problemit në fjalë dhe nevojën për shqiptimin e ndëshkimeve më të rënda, në rastet kur konsiderohet si e tillë. Gjithsesi, unë mendoj që në shoqërinë tonë duhet të ndërroj qasja, për sa i takon dhunës në familje, duhet të ndërroj perceptimi që kemi për femrën në shoqërinë tonë dhe perceptimi që kemi edhe për mashkullin dhe atributet që i njohim mashkullit, në krahasim me femrën në shoqërinë tonë. Prandaj, është i domosdoshëm sensibilizimi i publikut lidhur me dhunën në familje. Në çoftë se shikojmë disa studime që janë bërë në Kosovë, ka rezultuar që 30% e femrave, e pranojnë dhe e konsiderojnë si të pranueshme të kritikohen dhe të ushtrohet dhunë në to, në çoftë se nuk e gatuajnë gjellën sipas preferencave të bashkëshortit. Është një gjë që realisht, duhet të ndryshoj, është një mentalitet që duhet të ndryshoj domosdoshmërish dhe për më shumë që kjo fillon që nga nëna. Meqë nëna, si nënë kur flet, komunikon me fëmijët e saj, të trajtoj në të njëjtën mënyrë si vajzën edhe djalin dhe të mos i njoh atribute shtesë djalit, vetëm për shkak të gjinisë dhe për më shumë mos ti njoh obligime shtesë femrës, vetëm për shkak të gjinisë të saj.
Radio KFOR-i: Policia e Kosovës, Zyra e Prokurorit, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, Strehimoret, Qendrat për Punë Sociale, Institucionet Arsimore, janë vetëm disa nga akterët e shumtë në Kosovë, përgjegjës për adresimin e dhunës në familje. Sa shpesh këta akterë takohen, për të zhvilluar trajnime profesionale për personelin e tyre mbi dhunën në familje?
Zv. Ministrja, Shala: Si Koordinator Nacional, unë i kam takuar edhe veç e veç përfaqësuesit edhe kryesuesit e institucioneve në fjalë, institucione që ju i listuat shumë mirë. Në të njëjtën kohë, të gjitha këto institucione përfaqësohen në grupin ndërministror kundër dhunës në familje, me të cilët kemi takime të rregullta në baza mujore. Një gjë që e vlerësoj shumë, është që kam marrë mbështetje dhe garanci nga ana e kryesuesve të këtyre institucioneve përgjegjëse dhe ata po e adresojnë dhunën në familje, në mënyrën më të drejtë. Në aspektin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe janë duke bërë trajnime, e kanë konfirmuar përfaqësuesit e tyre edhe në takimet e grupit ndërministror një gjë të tillë, për më shumë edhe institucionet e tjera. E vlerësoj shumë, reagimin e tyre shumë të shpejtë, për sa i takon çdo lloj opsioni që mund të konsiderohet i arsyeshëm, për ti dhënë një zgjidhje fenomenit të dhunës në familje dhe mendoj që një përqasje e tillë, realisht do të afektojë, do të ndikoj që të kemi një zbutje të fenomenit në fjalë.
Radio KFOR-i: A ka ndikuar pandemia COVID-19 në shpeshtimin dhe ashpërsinë e rasteve të dhunës në familje në Kosovë? Nëse ky ndikim ka qenë negativ, sa e ka zmbrapsur procesin e parandalimit dhe zvogëlimit, shpresojmë edhe çrrënjosjen e dhunës në familjet tona?
Zv. Ministrja, Shala: Problematike me pandeminë ka qenë pikërisht mbyllja me viktimat e dhunës në familje. Ndërkohë, që për të gjithë ne, shtëpia ka qenë vend i sigurt nga pandemia, për viktimat e dhunës në familje nuk ka qenë e tillë, prandaj nëse shikojmë raportet në nivel global e kuptojmë një trend në rritje në nivel global, për sa i takon dhunës në familje, gjatë periudhës së mbylljes. Në fakt, një raport shumë interesant i UNFPA, identifikon se për shkak të pandemisë për shkak të mbylljes, rastet e dhunës në familje janë rritur me 20% në nivel global dhe ky raport, bën një analizë më tutje që e përkufizon se sa është në rritje ky trend, varësisht në muajt e kohëzgjatjes së mbylljes. Sa më e gjatë periudha e izolimit, aq më të larta kanë qenë rastet e raportuara të dhunës në familje, duke shkuar në 40% në rastet kur mbyllja ka zgajtur për 18 muaj.
Radio KFOR-i: Shkollat munden dhe duhet të jenë shumë aktive në parandalimin e dhunës në familje. A ka ndonjë plan për të përfshirë dhunën në familje si një temë e përhershme në programet tona shkollore, veçanërisht në kurrikulat e shkollës së mesme dhe të lartë?
Zv. Ministrja, Shala: Në fakt, në takimin e grupit ndër ministror, kundër dhunës në familje Përfaqësues i Ministrisë së Arsimit është njëherit edhe Zëvendës Ministri i Arsimit dhe nga diskutimet në këto takime, ka dal si çështje diskutimi dhe më është konfirmuar, që e kanë përfshirë si aktivitet në kuadër të Ministrisë së Arsimit, çështjen e dhunës në familje tek raportimet nga fëmijët realisht të rasteve të dhunës në familje, përmes punës në shkolla. Kam përshtypjen, që po ndërmerren aktivitete ose do ti shohim të materializohen si të tilla, për ti nxitur fëmijët që të raportojnë dhunën në familjet e tyre, sepse preken domosdoshmërish nga dhuna në familje edhe fëmijët dhe shpesh-herë janë ata, pra fëmijët, viktima të dhunës në familje dhe një punë e mirë që mund të bëhet në identifikimin e tyre, është edhe përmes mësuesve, të jemi më të vëmendshëm për të identifikuar në çoftë se një fëmijë, ka mundësi të jetë viktimë e dhunës në familje.
Radio KFOR-i: Cili do të ishte mesazhi juaj për dëgjuesit e Radio K4-it?
Zv. Ministrja, Shala: Mendoj që secili prej nesh, duhet të mësohet të kuptojë që duhet të respektojmë dinjitetin e gjithsecilit dhe kur flas për dinjitetin, realisht mendoj që ta njohësh dhe ta pranosh secilin person, ashtu siç është, pa u munduar ta ndryshosh, pa munduar ta modifikosh diçka ose pa u munduar që ta besh të përshtatet, me perceptimin që ti ke, për një çështje të caktuar edhe mbi jetën në përgjithësi. Në momentin kur mësojmë të respektojmë dinjitetin e gjithsecilit, mendoj që do të kemi më pak konflikte në shoqërinë tonë, konflikte mes njeri-tjetrit por edhe konflikte më të gjëra, jashtë komunitetit në fjalë dhe për më shumë do të kemi edhe më pak dhunë, më pak tension në shoqërinë tonë.