Policia e Kosovës në vazhdimësi janë duke kryer aktivitete në terren, me qëllim që të bëhet parandalimi i aksidenteve rrugore, por njëkohësisht janë duke u ndërmarr masa ndëshkuese ndaj atyre personave që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat në trafik. E krahas kësaj, Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke ndërmarr edhe fushata që kanë për qëllim sigurimin e një mjedisin të sigurt, për të gjithë. Përgjatë muajit mars, Policia e Kosovës ka realizuar aktivitete operacionale sipas planit ROADPOL (Rrjeti Evropian i Policive Rrugore) – “Kontrolli i përdorimit të rripit të sigurisë”. Në kuadër të javës së aktiviteteve sipas planit në fjalë, që është realizuar nga data 11 deri 17 mars, 2024, policia ka shtuar prezencën dhe kontrollin në të gjitha rrugët, ku në fokus ka pasur kontrollin e përdorimit të rripit të sigurisë, me ç’rast nga njësitë e trafikut të angazhuara në këtë plan, janë realizuar 1.534 pika të kontrollit të mjeteve dhe janë kontrolluar 5.974 mjete, ku ndaj shoferëve dhe pasagjerëve që janë hasur pa rrip të sigurisë, janë shqiptuar 1.245 gjoba.
Përgjatë këtij muaji, Policia e Kosovës ka mbajtur edhe ligjërata në shkolla fillore. Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, bazuar në aktivitetet e parapara nga projekti “Masat e sigurisë ndaj keqpërdorimit të Internetit” të hartuar nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim- DPP/Prishtinë, ka realizuar aktivitetet e planifikuara, gjegjësisht mbajtjen e ligjëratave në shtatë shkolla të komunës së Prizrenit, dedikuar nxënësve të klasave të pesta deri tek klasat e nënta, ku është ligjëruar tema “Masat e sigurisë ndaj keqpërdorimit të Internetit”.
Përgjatë këtij muaji, Policia e Kosovës ka zhvilluar aktivitete javore në trafikun rrugor në gjithë vendin. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, ka njoftuar se njësitet përkatëse, gjatë periudhës kohore 08.03.24 – 14.03.24, në vazhdën e implementimit të planit operativ “Siguria në trafikun rrugor”, kanë realizuar aktivitete në zonën e përgjegjësisë që mbulon shtatë (7) komuna. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 1.386 gjoba për kundërvajtësit, të cilët kanë rënë ndesh me ligjin për rregullat e trafikut rrugor. Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikut rrugor, Policia e Kosovës në vazhdimësi apelon tek të gjithë ngasësit, që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të përshtatin ngasjen dhe shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe rregullat në trafik.