Policia e Kosovës, gjatë gjithë kohës, sigurohet që të jetë gjithmonë pranë qytetarëve të Kosovës, duke iu ofruar ndihmë dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë. Gjatë verës, Policia e Kosovës ka zgjeruar kapacitetet në terren dhe ka organizuar disa fushata vetëdijesuese për çështje të ndryshme.
Siç mësuam nga komunikatat për Media nga Policia e Kosovës, janë zhvilluar disa fushata vetëdijesuese, në qytete të ndryshme të Kosovës: “Policia e Kosovës ka zhvilluar një fushatë vetëdijesuese në qytetin e Shtimes. Gjatë këtij aktiviteti përpos shpërndarjes së fletë-palosjeve me disa këshilla për siguri, në disa lokacione të cilat janë më të frekuentuara në Shtime, kanë vendosur poster të cilët bëjnë thirrje vetëdijesuese tek qytetarët me moton: “Festo me zemër, jo me armë”. Në kuadër të Planit Operativ “Sezoni Veror 2022”, te gjitha stacionet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën Jugore, kanë filluar të realizojnë fushatën e vetëdijesimit me moton “Kujdes nga zjarret”, ku përmes kësaj fushate synohet sensibilizimi i qytetareve që të kenë kujdes maksimal nga ndezja e zjarreve, e sidomos gjatë sezonit të verës”.
Policia e Kosovës, po ashtu, apelon për kujdes maksimal për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.