Policia e Kosovës në kuadër të punëve dhe angazhimeve për mbajtjen e rendit dhe sigurisë në vend, vazhdimisht organizon kampanja vetëdijesuese, për çështje të ndryshme. Një nga aktivitetet e fundit të organizuara nga Polica e Kosovës, është fushata për sigurinë në shkolla.
Në një përgjigje që morëm nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, mësuam më shumë për këtë fushatë vetëdijesuese, që është zhvilluar në rajonin e Gjilanit: “Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka ndërmarrë një sërë masash ligjore për të garantuar rendin, me qëllim të zhvillimit normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë në trafik, sidomos afër shkollave për nxënësit. Në kuadër të kësaj, policia ka hartuar planin operacional ‘Siguria në shkolla’, me detyra konkrete për njësitet në terren duke planifikuar që në të gjitha shkollat dhe përreth ambienteve të tyre, të ketë prezencë të shtuar të policisë, me qëllim parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal. Patrullat policore do të jenë prezent në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit, gjatë ndërrimit të turneve e deri në përfundim të procesit mësimor, duke përcaktuar masa dhe detyra të përbashkëta, në implementim të projekteve e fushatave vetëdijesuese, me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së nivelit të sigurisë në ambientet shkollore.”
Policia e Kosovës po ashtu, ka publikuar edhe disa fushata të tjera vetëdijesuese, siç janë: ‘Siguria në Trafik’, ‘Jeta pa dhunë në familje’ dhe fushata për vetësigurinë e qytetarëve, duke ndarë këshilla në rast se përballeni me vjedhje të veturës, shkaktimin e zjarreve dhe vjedhjet në shtëpitë tuaja.