Në çdo vend të botës, festivalet gjallërojnë jo vetëm popullatën, por edhe ekonominë e vendeve. Në Kosovë, ky vit ka qenë shumë atraktiv, sidomos për gjeneratat e reja, duke marr parasysh larminë e festivaleve të cilat u organizuan në Kosovë.
Përkundër faktit që vetëm deri tani janë realizuar dhjetëra festivale, kryesisht të karakterit kulturor dhe argëtues, Radio KFOR-i ju sjell një përmbledhje të atyre që bënë bujë edhe në mediat ndërkombëtare:
Sunny Hill Festival: Padyshim festivali më i suksesshëm i këtij vitit, një ngjarje që bëri bujë edhe në mediumet më të mëdha botërore, duke sjellë artistë të kalibrit botëror në skenën kosovare, mbetet Sunny Hill Festival. Edicioni si sivjetmë, solli emra si: Dua Lipa, J Balvin, Diplo, Skepta, Burak Yeter, etj.
DokuFest: Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, i njohur edhe si festivali më i madh i filmit në Kosovë, çdo vit mbush kinematë me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filmash, nga e gjithë bota.
BeerFest Kosova: I njohur edhe si festivali i parë i birrës në vend edhe këtë vit na solli argëtim dhe prezantime të brendeve të ndryshme, me një skenë që pati edhe artistë të zhanreve të ndryshme, kryesisht nga skena muzikore vendore.
PriFilm Fest: Një prej festivaleve më të bukura që ka vendi ynë. Ky edicion i PriFilm Fest, iu dedikua drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. Emrin e saj tashmë do ta mbajë çmimi kryesor i këtij festivali.
Anibar: Festivali i animacionit, siç tregon edhe nga emri, solli gjëra unike në vendin tonë. Edicioni i 13-të, erdhi me shumë befasi të bukura që u përmbyllë me datën 19 korrik, kur edhe u ndanë çmimet kryesore, për 7 kategoritë garuese.