“Në periudhën janar-shtator, në rrugët e Kosovës kanë ndodhur 76 aksidente fatale, ku kanë humbur jetën 83 persona”, kështu bënë të ditur Policia e Kosovës, në statistikat e tyre, ku bëhet e ditur se në të njëjtën periudhë (janar-shtator 2023), në vendin tonë kanë ndodhur edhe mbi 6.000 aksidente me lëndime, ku për pasojë janë lënduar 12.689 persona.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, në një prononcim për Radio KFOR-in, ka apeluar të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të jenë të kujdesshëm: “Duke marr parasysh intensitetin dhe qarkullimin e vazhdueshëm të njerëzve dhe mallrave, jo vetëm në vendin tonë por edhe në vendet tjera të rajonit dhe kudo në botë, aksidentet rrugore dhe humbja e jetëve të njerëzve në aksidente rrugore, është një sfidë dhe shqetësim permanent. Për të arritur objektivat e përbashkëta për një siguri të qëndrueshme rrugore dhe qarkullim pa pengesa, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht nga drejtuesit (vozitësit) e automjeteve që të shmangin veprimet të cilat ndikojnë në shpërqendrimin e tyre gjatë vozitjes. T’i shmangen përdorimit të telefonave mobil gjatë drejtimit të automjetit, të mbajnë distancën e duhur në mes automjeteve gjatë qarkullimit, të respektojnë shenjat për kufizimin e shpejtësisë dhe në përgjithësi vozitjen e automjetit ta përshtatin me gjendjen dhe kushtet në rrugë.”
Në tabelën e mëposhtme, janë statistikat e aksidenteve që kanë ndodhur në Kosovë, në periudhën janar-shtator 2023: