“Gratë dhe vajzat mund të na çojnë drejt një të ardhmeje më të drejtë, të përforcojmë zërat e vajzave dhe të angazhohemi të punojmë së bashku, për të ndërtuar një botë ku çdo vajzë mund të udhëheqë dhe të lulëzojë”, kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres në lidhje me shënimin e 11 tetorit, “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë”. Vajza e sotme e fuqizuar, është udhëheqësja-punëtore e së nesërmes, nëna, sipërmarrësja, mentorja, kryefamiljarja apo udhëheqësja politike.
Nga kujdesi shëndetësor i nënës dhe mbështetja e prindërve për vajzat, tek trajnimet digjitale dhe të aftësive jetësor, nga edukimi gjithëpërfshirës seksual deri te shërbimet për mbështetjen e të mbijetuarve dhe programet e parandalimit të dhunës, ka një nevojë urgjente për vëmendje dhe burime të shtuara për fushat kyçe që u mundësojnë vajzave të realizojnë të drejtat e tyre dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Nëse ne investojmë në realizimin e fuqisë së vajzave adoleshente, ne mbrojmë të drejtat e tyre sot dhe kjo premton një të ardhme më të barabartë dhe të begatë, në të cilën gjysma e njerëzimit është një partner i barabartë në zgjidhjen e problemeve të ndryshimeve klimatike, konflikteve politike, rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë globale.