Në rrugët e Kosovës, pothuajse çdo ditë ndodhin aksidente dyshifrore. Këtë e tregojnë statistikat e Policisë së Kosovës, të cilët në vazhdimësi bëjnë thirrje për kujdes dhe ndërmarrin fushata vetëdijesuese, me qëllim që pjesëmarrësit në trafik të jenë më të vëmendshëm, të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të përshtatin shpejtësinë e mjetit me kushtet e rrugës dhe ato atmosferike. Për të kuptuar statistikat e aksidenteve në Kosovë, Radio KFOR-i ka intervistuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha i cili shpalosi krahasimet e numrit të aksidenteve me vitin e shkuar (2022): “Statistikat e aksidenteve rrugore në vendin tonë për periudhën janar-shkurt të vitit 2023, krahasuar me atë të vitit 2022, tregojnë që kemi një rënie të lehtë të aksidenteve me fatalitet. Në të njëjtën periudhë në vitin 2022, kemi pasur 17 aksidente me fatalitet, me 21 persona të vdekur derisa këtë vit, kanë ndodhur 13 aksidente me fatalitet, ku numri i të vdekurve si pasojë e aksidenteve, është 18 persona.”
Në periudhën janar-shkurt, 2023, kanë ndodhur 1.048 aksidente me të lënduar, ndërsa janë shënuar 1.668 aksidente me dëme materiale, tregon Policia e Kosovës e cila përgjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 97.076 tiketa trafiku. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha duke apeluar për kujdes të shtuar në trafik, ka njoftua që Policia e Kosovës në vazhdimësi po ndërmerr fushata vetëdijesuese: “Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj, përveç angazhimeve në realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, po punon me përkushtim dhe intensitet të madh edhe për menaxhim sa më efikas të trafikut rrugor dhe krijimit të një sigurie më të madhe në trafik. Aktivitete dhe fushata aktive nga Policia e Kosovës, si për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, janë zhvilluar dhe po zhvillohen në vazhdimësi me të vetmin qëllim vetëdijesimin, parandalimin dhe reduktimin e aksidenteve rrugore.”
Më poshtë, të paraqitur gjeni tabelën e krahasimeve të numrit të aksidenteve për periudhën janar-shkurt të vitit 2023, me vitin paraprak.
Krahasimi i aksidenteve në Kosovë për Janar-Shkurt 2022/2023