Policia e Kosovës, me njësitet e saj, në të gjitha rrugët e vendit, po realizon kontrolle intensive, me qëllim të menaxhimit të trafikut dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.
Policia apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit, për të shmangur parakalimet e gabuara çka bëhen shkas për aksidente apo për bllokim të trafikut, tha kështu për Radio KFOR-in zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha dhe më tej shtoi: “Tregohuni të kujdesshëm gjatë qarkullimit nëpër rrugë dhe posaçërisht këtë e kërkojmë nga drejtuesit e automjeteve. Respektoni shenjat e kufizimit të shpejtësisë, mos kryeni tejkalime të gabuara, mos përdorni telefonat celular gjatë vozitjes, mos vozitni kur jeni të lodhur apo në gjendje të dehur si dhe lëvizjen e automjetit përshtateni me kushtet në rrugë, në mënyrë që ju dhe pjesëmarrësit e tjerë në rrugë, të jeni të mbrojtur dhe të sigurt.”
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit, janë shqiptuar 1.368 tiketa trafiku, për shoferët e papërgjegjshëm. Fatmirësisht nuk ka pasur aksidente me fatalitet, por janë shkaktuar 24 aksidente me të lënduar dhe 30 aksidente me dëme materiale.
Policia e Kosovës në shërbim të të gjithë njerëzve, në Kosovë!