Ekipi Ushtarak dhe Civil (CIMIC) i KFOR-it, përmes donacioneve të shumta edhe sot (31.05.22) dëshmuan përkushtimin dhe ndihmën në përmirësimin e mirëqenies së të gjithë njerëzve në Kosovë. Me inicimin e LMT-së, organizata jo-qeveritare ‘Lady-cc4 women’, nga ky donacion përfituan 1 makinë për qepje, 4 laptopë dhe një kompjuter. Organizata në fjalë, që ofron shërbime të ndryshme për gra, nga të gjitha komunitetet në Kosovë, trajnon dhe ofron kosulenca të ndryshme në ndërmarrësi dhe ndihmon gratë në fuqizimin e tyre ekonomik.
Nga Ekipi për Ndërlidhje dhe Monitorim në Regjionin e Prishtinës (LMT), i pranishëm në këtë donacion ishte rreshter, major Cimmino d’anna Giovanni, i cili tregoi për qëllimin e këtij projekti: “Sot, KFOR-i dhuroi donacion për Organizatën Jo-qeveritare ‘LADY-cc4 women’, në Prishtinë. Projekti është iniciuar nga Ekipi Ndërlidhës dhe Monitorues K8 (LMT) në Prishtinë, ndërsa qëllimi i këtij projekti është që të rrisë fuqizimin ekonomik të grave, të etnive të ndryshme anembanë Kosovës. Gjithashtu do të fuqizojë mundësitë ekonomike për gratë dhe grupet sociale të margjinalizuara në Kosovë.”
Ky donacion do të jetë një ndihmë shumë e madhe për organizatën ‘Lady-cc4 women’, që në kuadër të shumë projekteve kanë edhe projektin e tyre ‘721 fshatrat’, i cili ka për qëllim të krijojë mundësi për punë dhe ofrim të njohurive për gratë në 721 fshatra të Kosovës. Falënderuese për këtë donacion ishte drejtoresha e kësaj organizate, znj. Sanija Murati: “Nga ky donacion fillimisht kemi fituar përkrahje morale dhe pajisje, që do të na ndihmojnë në punën tonë në kuadër të projektit ‘721 fshatrat’, për gratë të cilat krijojnë produkte të veçanta. Pajisjet apo makinat e qepjes që i kemi marrë sot donacion, do të na ndihmojnë në krijimin e dizajnëve të produkteve që i punojnë gratë. Andaj, jemi shumë falënderues ndaj KFOR-it dhe mesazhi im për të gjitha gratë në Kosovë, është që të mos ndalojnë asnjëherë dhe kështu çdo ëndërr do të mund ta realizoni.”
Nga ky donacion sot u dëshmua edhe njëherë se ndihma e KFOR-it për njerëzit në Kosovë, po kontribuon për fuqizimin e grave dhe të gjithë njerëzve pa dallim.