Datat e sotme 4 shtator, shënon 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës (PK), zyrtarët e së cilës ofrojnë siguri dhe rend për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Në këtë përvjetorë, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, përmes Radio KFOR-it, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, që të ndihen të sigurt me prezencën e Policisë së Kosovës: “Policia e Kosovës që nga themelimi i saj, 21 vite më parë, në vazhdimësi ka punuar me përkushtim dhe profesionalizëm për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend. Qytetarët tonë, pa dallim etnie, duhet të ndihen të sigurt me Policinë e Kosovës, ta ruajnë dhe kultivojnë mbështetjen dhe besimin e ndërsjellë që kemi krijuar gjatë këtyre 21 viteve. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në shërbim të qytetarëve në çfarëdo kohe, për ta përmbushur misionin tonë, ku secili qytetar mund të jetoj, punoj, lëviz dhe shprehet lirshëm, pa asnjë dallim.”
Aktivitetet për shënimin e 21 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës kanë nisur me një ceremoni zyrtare, në të cilën përveç menaxhmentit të lartë të PK-së, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga institucione të tjera. Po ashtu, sot, PK në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Culturat”, kanë prezantuar monografinë “Yje Mbi Dafina”, libër ky që u kushtohet 21 zyrtarëve policorë të rënë, në uniformën e Policisë së Kosovës. Përveç monografisë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të hapet edhe ekspozita me portrete të policëve, fotografi familjare dhe institucionale të tyre si dhe fotografi të zisë e të përkujtimit.