Mbajtja e kafshëve shtëpiake aktive dhe të shëndetshme përgjatë periudhës së pandemisë ‘CoViD-19’, është një shqetësim i madh për të gjithë ata që mbajnë kafshë shtëpiake. Ashtu sikurse njerëzit edhe kafshët shtëpiake mund të përjetojnë stres mendor dhe fizik gjatë kohërave të vështira.
Por, se a bartet virusi ‘CoViD-19’ nga kafshët tek njerëzit apo anasjelltas, për Radio KFOR-in tregon mjeku veteriner, Ilirian Isufi: “Është vërtetuar shkencërisht se ky virus nuk bartet nga kafsha tek njeriu apo edhe anasjelltas, sepse kafshët nuk kanë receptorë të tillë për ‘CoViD-19’. Prandaj, mos keni frikë nga kafshët, mos i largoni, duani, respektoni, kujdesuni ashtu siç jeni kujdesur deri më tani. Vetëm në këtë formë mund të lehtësojmë dhe mund të relaksohemi në këtë kohë pandemie që po e kalojmë.”
Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë për kafshët tona shtëpiake është respektimi i rregullave themelore të higjienës, duke pastruar duart para se të prekim ushqimin dhe lodrat e tyre.