Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes në komunikacion, duke bërë thirrje për respektim të kufizimit të shpejtësisë, vendosjen e rripit të sigurisë dhe rregullave të përgjithshme në komunikacion. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha,përmes frekuencave të Radio KFOR-it ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion: “Me qëllim të shtimit të masave për të rritur sigurinë në trafik, Policia e Kosovës, ka hartuar dhe është duke zbatuar një plan operativ. Ky plan parasheh aktivitete të shtuara të njësiteve të Policisë së Kosovës me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria nëpër rrugët tona. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, në veçanti i drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm, për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor, në të kundërtën të gjithë ata që bëjnë shkelje të rregullave të trafikut do të përballen ma masa ndëshkuese sipas ligjeve të fuqi. Prandaj, kërkojmë nga të gjithë ju që të jeni viligjentë gjatë drejtimit të automjetit tuaj dhe të respektoni ligjin e trafikut”.
Nën motot “Vozit me kujdes, mos shpejto, familja ju pret!”, Policia e Kosovës, ka dërguar në formën e sms-së tek të gjithë njerëzit në Kosovë pelin për kujdes në komunikacion.