E praktikuar gjatë historisë, në çdo kulturë dhe në çdo kontinent, poezia flet për njerëzimin dhe vlerat tona të përbashkëta, duke e shndërruar poezinë më të thjeshtë në një katalizator të fuqishëm për dialogun dhe paqen.
Pikërisht sot (21 mars), shënohet ‘Dita Botërore e Poezisë’, e konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh.
Si një formë intime e të shprehurit, poezia pasuron edhe dialogun e këtë e pohon edhe poetja e njohur, znj. Naime Beqiraj, e cila në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, zbuloi edhe disa prej aktiviteteve që do të mbahen për nder të kësaj dite: “Ajo që është për tu marrë lakmi për këtë ngjarje, është se në vitet e fundit, e sidomos këtë vit, po shohë aktivitete, ngjarje dhe kujtesë për poetët që nuk janë më. E të gjitha këto, na nderojnë neve si shoqëri, ndonëse traditën e krijimit të poezisë nuk e kemi më të gjatë se dy shekuj, pa përfshirë periudhën e Humanizmit dhe poetët Pjetër Budi e Pjetër Bogdani. Poezia, vargu – ky art i përkorë, art i hollë siç e quante Azem Shkreli, në Prishtinë do të shënohet me disa ngjarje. Nga ana e PEN Qendrës së Kosovës do të mbahet një takim letrar, do të ketë përurime librash, ndërsa edhe në shkolla do të mbahen takime letrare. Fjala vjen në “The British School of Kosova”, do të mbahet takim letrar me poetë kosovarë. Kjo flet qëndrueshëm që lidhja e poezisë me lexuesin dhe me artet tjera po vazhdon të jetë interesante dhe e kërkuar. Poezia, në përgjithësi është art që nuk lexohet shumë siç lexohet proza, por poezia është art që lexohet e shijohet me finesë nga shpirtrat e zgjedhur, njerëzit me dije artistike e me shpirt fisnik”, nënvizoi znj. Beqiraj.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), e themeloi këtë ditë, në vitin 1999. Poezia përdor ritme dhe imazhe për të nxjerrë emocione dhe imagjinatë të lexuesit. Poezia mund të rimojë, duke përdorur ato që quhen metra të rrokjeve të gjata dhe të shkurtra. Poezitë ndahen në strofa, të cilat janë si paragrafë dhe mund të jenë deri në 12 rreshta.