Në botën e sotme, gjithnjë e më të ndërlidhur dhe më të hapur për të gjithë, njohja e gjuhëve të huaja është një aftësi jetike, që u jep mundësi njerëzve të angazhohen në një mënyrë më të menjëhershme dhe më kuptimplote. Bazuar në rëndësinë që kanë gjuhët, kampanja e Radio KFOR-it e cila po realizohet përgjatë këtij muaji, vë në pah punën dhe kontributin e çmuar të mësimdhënësve, të cilët nuk hezitojnë të ofrojnë dijen dhe mundin e tyre, tek të interesuarit që të mësojnë gjuhë të reja.
Sot, në kuadër të emisionit “Mëngjesi me TY!” e ftuara e radhës ishte mësimdhënësja e gjuhës në shkollën “New Age”, znj. Flaka Kukleci e cila kishte një mesazh për të gjithë ta rinjtë: “Mesazhi im për të rinjtë është që të mësojnë sa më shumë gjuhë të huaja, me qenë se të gjitha hulumtimet kanë vërtetuar se ky aktivitet përveç që zhvillon mendjen dhe personalitetin nga njëra anë, gjithashtu na jep edhe shumë përfitime profesionale. Të gjithë të rinjtë, të bëjnë zgjidhjen e duhur kur bëhet fjalë tek mënyra se si do ti mësojnë këto gjuhë të huaja, të zgjedhin shkolla që janë profesionale në këtë aspekt dhe ku mësimi i gjuhës do të vijë natyrshëm dhe pa u sforcuar dhe në këtë mënyrë do të jenë në vazhdimësi të motivuar për të mësuar sa më shumë.”
Mësimi dhe përdorimi i gjuhëve të tjera, na ofron një lidhje me traditat tjera të rëndësishme kulturore të miqve dhe fqinjëve që flasin të njëjtën gjuhë. Nëse dëshironi të njihni mirë një kulturë, atëherë mësojeni gjuhën e atij rajoni.