Me një rezolutë të veçantë në vitin 2007, Kombet e Bashkuara kanë njohur kontributin dhe rëndësinë e grave në zonat rurale dhe rolin e tyre jetik në shumë fusha, me rëndësi për mirëqenien e përgjithshme të njerëzve.
Gratë rurale luajnë një rol kritik në ekonomitë rurale, marrin pjesë në prodhimin e bimëve dhe kujdesin për bagëtinë, sigurojnë ushqim dhe merren me agrikulturë për të mbështetur familjet e tyre. Për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me menaxheren e Komunikimit ne projektin ‘Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat’ në organizatën ‘Swisscontact’, Linda Baleta, e cila ka folur për projektet e tyre në mbështetjen e fuqizimit të grave rurale dhe rëndësinë e kësaj dite: “Çdo 15 tetor, roli dhe kontributi i grave rurale për zhvillimin e ekonomive familjare dhe komuniteteve të tyre, pavarësisht vështirësive që kanë, shënohet në mbarë botën. Projekti ‘Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat’ (PPSE), implementon bashkë me organizatat partnere aktivitete të ndryshme në sektorët e ushqimit dhe produkteve natyrore dhe të turizmit. Këto aktivitete përkrahin edhe krijimin e mundësive të reja për gratë rurale. Këtë vit, kemi mbështetur trajnimin online për fermerët që kultivojnë bimë mjekësore aromatike, se si të menaxhojnë kultivimin organik apo renovimin e bujtinave në fshatrat e Rugovës, të cilat menaxhohen nga gratë. Fuqizimi ekonomik i grave rurale sjell ndryshimin në vend.”
Këtë vit, në ‘Ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale’, në qendër të vëmendjes do të jetë nevoja urgjente për të ndihmuar në rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë e grave rurale pas pandemisë ‘COVID-19’.