Piano, instrument ky nga i cili krijohen tinguj magjik, kompozime e kryevepra botërore, pa dyshim që e bën botën edhe më të bukur. Pikërisht sot (29.03.22), shënohet ‘Dita e Pianos’, një ngjarje vjetore mbarë botërore, e cila shënohet për të nderuar komunitetin e muzikantëve, pianistëve dhe kompozitorëve dhe atyre që e duan këtë instrument.
Rreth kësaj dite, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me profesoreshën dhe pianisten e njohur, znj. Pranvera Hoxha, e cila foli rreth rëndësisë së kësaj dite dhe mishërimit të saj me këtë instrument ndër vite: “Meqë punoj si korepetitore pranë Universitetit të Prishtinës – Fakulteti i Muzikës dhe si prof. e pianos pranë ShMM “Prenk Jakova” – Prishtinë, dua të them se pianoja për mua nuk është vetëm instrument për të ushtruar profesionin, po është kënaqësi, mësim, sfidë e qetësim shpirti. Çdo ndjesi, ngjarje e lidh me atë dhe ndaj bashkë si dhimbjen ashtu dhe gëzimin, me pak fjalë është vetë jeta.”
Pianistja Hoxha, këshilloi secilin njeri që ndjenë dashuri për instrumentin e pianos, të mos hezitoj të merr mësime pianoje, pavarësisht moshës sepse do plotësohet emocionalisht sapo të mësojë meloditë e para.