‘Fëmijët në teknologji’ është njëra nga fushat që përbën interes të madh studimi nga ana e ekspertëve social, e shumë studime të cilat janë bërë, tregojnë se përdorimi i tepërt i teknologjisë nga fëmijët veçanërisht, numëron më shumë anë negative sesa pozitive. Përkitazi me këtë temë, Radio KFOR-i ka zhvilluar intervistë me Psikologen Klinike, znj. Lule Alidema, e cila shtjelloi në detaje dëmet që sjell përdorimi i tepërt i teknologjisë, veçanërisht tek adoleshentët: “Dihet se çdo gjë që e kalon kufirin e normales të përdorimit, e deri tek ushqyerja, që është nevojë bazike për njeriun, po që se u teprua, ka edhe anët negative. Mirëpo, njeriu është qenie e tillë që me raste edhe e tepron, duke mos e pasur parasysh për dëmet që i shkakton vetes. Specifikisht në ditët sotme, kur jemi të rrethuar nga çdo anë me teknologji dhe na është bërë nevojë, deri aty ku nuk e kalon kufirin për pasoja negative, njeriu pa dyshim se është qenie e tillë që kur diçka i jep emocione kënaqësie, arrin ta kapërcen pragun e normales. Faza e adoleshencës, nënkupton shkëputje nga një person-fëmijë në atë të rritur dhe përbën fazë kritike të jetës, ku adoleshenti përballet me shumë konfuzione mbi ndryshimet, sikurse janë ato fizike (ndryshimet në konstruktin trupor, fizik), ato psikike (preokupimet e gjetjes së identitetit: kush jam unë, cili do të jetë profesioni im, kush do të jetë familja ime pas martese, a do të jem mjaftueshëm përgjegjës për obligimet e mia, etj., e deri te mendimet abstrakte), do të thotë adoleshenti veçse është në fazë konfuzioni dhe se në mungesë të marrjes së udhëzimeve profesionale nga psikologët, ata i qasen rrjeteve sociale, i përshtatin vetes thuajse çfarëdo që lexojnë dhe se duke pasur parasysh mundësitë dhe rrethanat e ndryshme, jo rrallë ju ndodhë që teknologjia të bëhet arsye devijimi apo edhe çrregullimi psikologjik (pamundësia ta arrijë atë çka sheh në internet, personalizimi i ndodhive të të tjerëve, etj.). Nga mundësia e pranimit të aq shumë informacioneve që teknologjia mund të jap dhe përpjekja për t’i përthithur të gjitha ato informacione dhe ato mundësi, e dërgon adoleshentin drejtë varësisë së teknologjisë, me ç’rast adoleshenti përveç që bëhet i varur, ai do të ndeshet edhe me stres, ankth, demotivim, dëshpërim, mungesë socializimi, zbehje emocionale, konfuzione, komplekse, shqetësime me gjumin, ushqyerje e deri në depresione më të rënda.”
Duke marrë për bazë efektet e lartpërmendura, prindërit duhet të mbikëqyrin fëmijët, kur ata i qasen teknologjisë: “Dyshoj që mbikëqyrja prindërore dhe njoftimi i fëmijës për anët pozitive dhe negative nga teknologjia, duhet të bëhet që nga fazat e hershme të fëmijërisë, mbase te adoleshenti dyshoj se është vonë dhe e vështirë t’i vihet një mbikëqyrje apo korrigjim nga ky drejtim. Dyshoj se nuk do ti përfillin këshillat mjaftueshëm, sepse po që se nuk u edukua më herët, edukimi në fazën e adoleshencës, dyshoj se është i vonshëm. Mbikëqyrja apo kontrollimi, adoleshentin munden edhe ta acarojnë, t’ia ulin vetëbesimin, ta bezdisin, ti prishë raportet familjare e deri në largim nga shtëpia, sepse ai tashmë e konsideron veten të rritur dhe të vetëdijshëm për veten e vet”, shpjegoi tutje Psikologia Klinike znj. Lule Alidema, duke theksuar se përdorimi i tepërt i teknologjisë ana e fëmijëve, përveç shqetësimeve psikologjike të lartcekura, do ti pengojë ata edhe për arritje në rrugëtime studimore (koha e kaluar në teknologji po që se nuk përdoret për interesa studimi), distancim nga të shijuarit e jetës rinore në realitet, largim nga takimet fizike duke i zëvendësuar me ato virtuale, etj.