Data e sotme (15 prill), i përket artit dhe është ‘Dita Botërore e Artit’, me ç’rast promovohen dhe nxiten aktivitete kreative në të gjithë botën. Pavarësisht nëse jemi apo jo të vetëdijshëm, ne jemi të rrethuar nga forma arti kudo. Mund të jetë një skulpturë, një pikturë, një fotografi, një këngë, një poezi ose diçka e ngjashme.
Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi një artiste e cila është rritur me artin, të cilin vazhdon ta ketë pjesë të pandashme të jetës, piktoren Shpresa Ramadani Pajaziti, e cila ka këtë përkufizim për artin: “Për aq kohë sa ka ekzistuar njerëzimi, arti ka qenë pjesë e jetës sonë. Për shumë vite, njerëzit kanë krijuar dhe shijuar artin. Përmes tij shprehim emocionet tona, me të cilat përshkohet jeta jonë, pra, përmes pikturave që unë realizoj, unë përcjellë ndjenjat e mia. Arti na jep një mënyrë inovative për të parë botën ose shoqërinë përreth nesh”, pohoi artistja Ramadani Pajaziti.
Kujtojmë se ‘Dita e parë Botërore e Artit’, për herë të parë u shënua me datën 15 prill, të vitit 2012, për nder të ditëlindjes së piktorit, skulptorit, shkrimtarit, mendimtarit, filozofit, matematicientit dhe novatorit shkencor Italian, Leonardo da Vinçi, si një simbol i paqes në botë, lirisë së shprehjes dhe tolerancës.
Arti ushqen kreativitetin, inovacionin dhe diversitetin kulturor për të gjithë popujt anembanë globit dhe luan një rol të rëndësishëm në ndarjen e njohurive dhe inkurajimin e kuriozitetit dhe dialogut. Këto janë cilësi që arti i ka pasur gjithmonë dhe do t’i ketë nëse vazhdojmë të mbështesim mjedise ku promovohen dhe mbrohen artistët dhe liria artistike. Në këtë mënyrë, zhvillimi i mëtejshëm i artit na çon në një botë të lirë dhe paqësore.