Gjendja me të cilën mbarë bota po përballet tash e disa muaj, duke ndaluar rutinën e përditshmërisë së secilit individ e kompani, si pasojë e virusit Covid -19, ka bërë që shumë njerëz në të gjithë botën të kenë luhatje emocionesh dhe duke pasur ndikime negative edhe në shëndetin mendor.
Pasi që shëndeti mendor dëmton edhe shëndetin fizik, me theks të veçantë, dobëson imunitetin, nënkuptohet që ruajtja e tij është e një rëndësie jetike.
Si të dalim nga kjo gjendje pa e dëmtuar shëndetin mendor dhe shumçka tjetër, na tregon Prof. Assoc. Dr. Aliriza Arënliu, në një intervistë të realizuar nga Radio KFOR-i: “Situata e krijuar është një ndryshim relativisht i madh, kur kërkohet që njerëzit të qëndrojnë të mbyllur, të krijojnë distancë fizike dhe sociale, të punojnë online osë të mos punojnë fare dhe të gjitha këto mund të sfidojnë aftësitë dhe shkathtësitë tona për t’u ballafaquar më këto kërkesa. Si qenie njerëzore parashikueshmëria ulë ankthin e kjo situatë mund të shkaktojë të kundërtën, pasi ka ende shumë paqartësi se si do të përfundon. E gjithë kjo situatë mund të shkaktoj një distres psikologjik. Distresi psikologjik përdoret për të përshkruar ndjenjat e pakëndshme ose emocionet, që ndikojnë në funksionimin e personit. Personat nuk i përjetojnë ngjarjet përfshirë edhe ato stresuese në mënyrë të njëjtë. Pra, edhe intensiteti i kësaj parehatie ndryshon. P.sh., nëse një person ka edhe probleme financiare përpos çështjes së pandemisë, atëherë me gjasë distresi do të jetë më i lartë tek ky person.”
Mirëpo, se si të kujdesemi për shëndetin mendor dhe si të veprojmë në situatën të cilën ndodhemi, Dr. Arënliu tha: “Shëndeti mendor është pjesë e shëndetit të përgjithshëm dhe atij publik. Por kjo shpesh nuk perceptohet si e tillë. Në këto ditë mund të jemi më të cenueshëm sa i përket ankthit apo mendimeve brengosëse, prandaj gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të flasim për ato me dikë që e kemi të afërt apo edhe online. Këshilla të tjera janë: kujdes në ushqim, gjumë të rregullt me orar të caktuar, caktoni orare për veten, se çka do të bëni, qoftë edhe për punë të shtëpisë apo në çfarë orari do të shikoni filma, kufizoni kohën e marrjes së lajmeve online dhe TV, ushtroni qoftë edhe për kohë të shkurtër, bisedoni, bisedoni, bisedoni me dikë përfshirë edhe online. Kontaktimi i miqëve edhe online është i dobishëm edhe për ju edhe për miqtë. Poashtu mund të provoni teknika të ndryshme të relaksimit që mund ti gjeni lehtësisht online. Optimizmi është faktor mbrojtës ndaj depresionit dhe shumë problemeve të tjera. Në fund të fundit ne duhet të jemi të vetëdijshëm për gjërat që mund dhe nuk mund ti kontrollojmë. Njerëzimi ka kaluar në sfida të ndryshme përfshirë edhe pandemitë, edhe këtë do ta kalojmë edhe më lehtë se të kaluarat, pasi zhvillimi teknologjik dhe komunikimi do të ndihmojnë të kapërcejmë këtë situatë”, tha në fund Prof. Assoc. Dr. Aliriza Arënliu.