Që nga viti 1990, 8 Prilli është shpallur si ‘Dita Ndërkombëtare e Komunitetit Rom’, si kremtim i historisë rome, traditave dhe kulturës, por njëkohësisht kjo ditë shërben edhe si thirrje për përfshirje sociale të këtij Komuniteti.
Radio KFOR-i ka kontaktuar mediatoren shëndetësore në OJQ-në ‘Syri i Vizionit’ në Pejë, Agnesa Toskën, e cila tha se kjo ditë e gjen këtë komunitet në gjendje jo aq të mirë ekonomike, e cila akoma më shumë është rënduar nga pandemia ‘Covid 19’. “Sa i përket Komunës së Pejës, këtu janë ndarë pako higjienike me maska, sapunë për duar, por edhe pako ushqimore. OJQ ‘Syri i Vizionit’ ka informuar pjesëtarët e komuniteteve sa i përket masave parandaluese për ‘Covid 19’, në lagjet ‘7 Shtatori’ dhe në Vitomericë. Me aktivitete dhe fushata vetëdijësuese edukativo-arsimore po ngrisim vetëdijen, sidomos për higjienën. Po ashtu, ne na bënë të ndihemi të lumtur fakti se aktualisht numër më i madh i pjesëtarëve të këtij Komuniteti po vijojnë shkollimin dhe studimet.”
Gjithashtu, Znj. Toska bëri thirrje për respektim të të drejtave të këtij Komuniteti dhe komuniteteve tjera në Kosovë. “Bëjmë thirje tek të gjitha instiucionet që të punohet më shumë me komunitetin Rom, për gjendjen e tyre ekonomiko- sociale dhe edukative, të krijohen plane afatgjate në implementimin e infrastrukturës, përmirësimin e strehimit, punësimit dhe të edukimit si dhe në veçanti të lobohet për anti-gjipsizëm, të bëhen avokime në mënyrë që të inkurajohet ky komunitet që të përfshihet në shkollim, ndërmarrësi etj”.