“Qielli nuk ka kufij dhe ju inkurajoj të gjithëve që të ëndërroni gjëra të mëdha dhe që pasioni t’ju udhëheq në rrugën jetësore”, kështu u shpreh sot (14.07.22), Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe njëherit Shefe e UNMIK-ut, Znj. Caroline Ziadeh, në fjalimin e saj, të hapjes solemne historike të Observatorit të Prishtinës.
Observatori i Prishtinës rihapi dyert për publikun pas më shumë se 35 vitesh dhe është rezultat i përpjekjeve të Klubit të Astronomëve të Kosovës (ACK), me përkrahje nga UNMIK-u dhe Komuna e Prishtinës.
Shefja e UNMIK-ut, Znj. Ziadeh, theksoi gjithashtu se ishte nder për UNMIK-un, që të përkrahin këtë projekt ambicioz, meqë arti, shkenca dhe astronomia janë gjuhë universale, që lidhin njerëzit e të gjitha moshave, përkatësive dhe etniteteve dhe i bashkojnë ata në humanizmin e tyre dhe tha shpreson se ky Observator i Prishtinës, do të shërbejë si qendër për rininë multietnike gjatë dekadave vijuese.
Për më tepër, Kupola e Observimit posedon një mozaik të sistemit diellor, i punuar nga artistë prej të gjitha komuniteteve të Kosovës, prej pllakave të ricikluara.
I pranishëm në hapjen e Observatorit, ishte edhe Kryetari i Prishtinës, Z. Përparim Rama, i cili në fjalimin e tij tha: “Deri tash, anëtarët e ACK-së udhëtonin nëpër qytetet e Kosovës me teleskopët e tyre, për të vizituar shkollat dhe për t’iu afruar pasionin e tyre komuniteteve, por tash e tutje, Observatori do të shërbejë si adresë e vetme që ju mundëson të gjithëve të vijnë dhe të mësojnë nga ta.”
Prezent në këtë hapje solemne ishte edhe drejtori i ACK-së, Suhel Ahmeti, i cili rikujtoi fjalët e astronautit, Neil Armstrong dhe gjithashtu shtoi: “Përderisa hapja e Observatorit, mund të duket një hap i vogël për të pranishmit, ky është një hap i madh për Kosovën. Një studim konkludon, nëse fëmijët fillojnë të mësojnë për astronominë që nga mosha e hershme, ajo do të ketë ndikim pozitiv në jetën e tyre. Me teleskopin tonë diellor, atë të natës dhe materialet mësimore, shpresojmë që fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet e ndryshme, do të vijnë këtu dhe të mësojnë!” theksoi z. Ahmeti.
Funksional për vetëm 10 vite pas hapjes në vitin 1977, rihapja e Observatorit synon shtyrjen përpara të misionit të tij, si një qendër e rëndësishme shkencore dhe arsimore dhe të shërbejë si vend për bashkëpunim në mes të komuniteteve të ndryshme.
Pas rihapjes së Observatorit të Prishtinës, Astronomët nga rajoni si dhe nga pjesë të tjera të botës, shprehën urimet e tyre për hapjen.