Në një shoqëri rëndësi të jashtëzakonshme kanë paqja dhe toleranca, të cilat përbëjnë bazën e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërive, duke krijuar një mjedis të favorshëm për të gjithë individët dhe komunitetet. Janë dëgjuesit e Radio KFOR-it, ata të cilët dhanë mendimet e tyre, lidhur me këto dy shtylla të rëndësishme të shoqërisë sonë: “Unë jam Faton Cakolli. Në një botë që është e ndërtuar në bazë të tolerancës, paqes, diversitetit, respektit ndaj mendimeve të ndryshme dhe kulturave të ndryshme, aty sigurohet harmonia dhe bashkëpunim i qëndrueshëm shoqëror.”
Të njëjtin mendim e kishte edhe dëgjuesi tjetër, Riges Abazi: “Respekti dhe mirëkuptimi ndaj njëri-tjetrit, janë themel i jetesës në paqe. Nëse punojmë së bashku për të krijuar një mjedis të tillë në jetën tonë personale dhe shoqërore, mund të ndihmojmë në promovimin e paqes dhe harmonisë në tërë shoqërinë tonë.”
Se të dëgjuesit e Radio KFOR-it kanë mendime pozitive për paqen dhe tolerancën, e dëshmon edhe dëgjuesja tjetër e rregullt, Krenare Islami: “Fatmirësisht në Kosovën tonë shumetnike, paqja dhe toleranca po formojnë themele të forta, duke na ndihmuar të ndërtojmë një shoqëri të sigurt, nga e cila do të përfitojnë të gjithë në Kosovë.”
Të jetuarit në paqe, kërkon vullnet dhe përkushtim për të krijuar një mjedis ku harmonia dhe respekti janë reciprok.